NGA:Valentina Madani
Emiljano Shullazi” mbërtheu dje në një debat të fortë grupin parlamentar të Partisë Demokratike gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura. Lideri i opozitës, Lulzim Basha dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli kanë polemizuar ashpër mes tyre për minuta të tëra, sa i takon çështjes “Shullazi” e veçanërisht kërcënimit të kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Burime zyrtare nga mbledhja e grupit të PD-së pohuan për “Gazeta Shqiptare” se Topalli s’i ka kursyer kritikat ndaj Bashës për faktin se sipas saj denoncimet në PD nuk i bën kryetari i partisë, por ish-kreu i saj, Sali Berisha. Mbledhja nisi e qetë, me diskutimet se çfarë do të ndodhë në seancën e sotme parlamentare. Por, pak çaste më pas u rihap debati.

Të njëjtat burime pohojnë për “GSH” se fillimisht Topalli ka ndërhyrë dhe ka folur për hetimin parlamentar të kërkuar nga Partia Demokratike për marrëveshjen e CEZ-it, ndërkohë që më pas ajo është ndalur edhe te çështja “Shullazi”. Mësohet se Topalli i ka kërkuar Bashës një opozitë më të fortë në reagimin e saj ndaj qeverisë teksa i ka kujtuar kreut të opozitës se nesër mund të jetë kryeministër dhe nuk i shkon që të bëjë një opozitë të dobët. “Prezumohet që ti do jesh kryeministri i ardhshëm, prandaj ti duhet t’u dalësh për zot qëndrimeve të një kryetari partie. Unë vërej se ju denonconi pasi denoncon i pari z.Berisha. Ndaj dua të di, pse denoncon z.Berisha gjithmonë i pari dhe jo ju që jeni kryetar i partisë? Kjo ndodhi edhe së fundmi me rastin e Emiljano Shullazit”, – i është drejtuar Topalli, Bashës. Por menjëherë pas kësaj kritike të dytë, Basha është përgjigjur se ai është i vetmi që është kërcënuar drejtpërdrejt nga Shullazi. Në mbledhjen e djeshme ka folur edhe ish-kryeministri Berisha, i cili ka denoncuar përfshirjen e krimit edhe në universitetet tona, ndërkohë që nuk ka kursyer një kritikë indirekte ndaj ishministrave të tij, të cilëve u ka kërkuar më shumë angazhim në komisionet hetimore sipas fushave që ata kanë mbuluar gjatë qeverisjes së PD-së.

Më herët, gjatë një prononcimi për mediat, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i bëri thirrje opozitës që të ngrihet në protestë, duke marrë shkas nga rasti i kërcënimit nga Emiljano Shullazi të kandidatit për rektor, Mynyr Koni. Topalli tha se këtë gjë ia ka kërkuar edhe kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar. Në përgjigje të gazetarëve ajo është shprehur se ia ka kërkuar edhe Bashës në mbledhjen e grupit. “Ia kam kërkuar dhe do të vazhdoj t’ia kërkoj vazhdimisht. Unë nuk di se ka një moment më të vështirë për Shqipërinë sesa kjo që po jetojmë sot. Zhvillimet e fundit, me kërcënimet që u janë bërë kandidatëve për rektor, kanë qenë një tronditje dhe një ngritje e frikës dhe alarmit në ato nivele dhe situata që nuk janë imagjinuar kurrë gjatë këtyre 25 viteve. Çfarë do të presim?! Në qoftë se krimi vendoset edhe në universitete, ashtu siç krimi është ulur në parlament, apo vendosur në zyrat e policisë, apo në zyra të larta të tjera të shtetit, ky vend ka marrë fund. Dhe rrokullisja e asaj është e pashmangshme. Për të shpëtuar nga kjo rrokullisje, për të mos shkuar në zgrip të greminës, ku në fakt po vrapojmë, duhet një zgjidhje e menjëhershme. Rruga është kombinimi i protestave. Kombinimi i protestave në çdo qytet, me betejën parlamentare për çështje kaq madhore”, – deklaroi Topalli.

DEBATET ME DYER TË MBYLLURANË GRUPIN PARLAMENTAR TË PD
LULZIM BASHA: Të nderuar deputetë! Ndodhemi para një situate të paprecedentë që ka të bëjë me futjen e krimit në universitetet tona. Një gjë e tillë është e pazakontë. Ne e kemi denoncuar edhe më parë Emiljano Shullazin, ndërkohë që duhet ta vazhdojmë betejën kundër krimit. Nesër (sot) është seanca parlamentare dhe jam i hapur për çdo mendim tuajin, me qëllim që të përcaktojmë qëndrimin tonë.

SALI BERISHA: Ashtu siç e tha kryetari, situata është e paprecedentë dhe ne duhet të vazhdojmë me denoncimin ndaj krimin. Kemi dhënë prova dhe prova të tjera duhet t’i publikojmë ne seancë në parlament. Nuk mund ta lëmë krimin të kapë edhe universitetet dhe të kërcënohen edhe rektorët. Detyra jonë si opozitë është denoncimi me fakte dhe duhet ta vazhdojmë ta bëjmë këtë. Shullazi është vërtet në burg por beteja jonë si opozitë kundër krimit dhe kapjes së pushtetit nuk duhet të ndalë për asnjë
moment.

JOZEFINA TOPALLI (I drejtohet Lulzim Bashës): Z.kryetar, unë kam një shqetësim tjetër. Dua të ngre edhe një herë shqetësimin e aferës së CEZ-it. A mund të na shpjegoni këtu se përse nuk është kërkuar më parë hetim për çështjen e aferës së CEZ-it? Çfarë ju ka penguar ta kërkoni këtë hetim nëntë muaj më parë?

LULZIM BASHA: Nuk është kështu siç thoni ju. Partia Demokratike e ka ngritur si çështje aferën e CEZ-it dhe nëse kujtoheni mirë, kjo çështje është ndërkombëtarizuar po prej denoncimeve të bëra nga Partia Demokratike. Ka fakte të reja nga partnerët tanë dhe prandaj është kërkuar nisma e një hetimi të tillë. Kjo është situatë e re. Ndaj nuk jeni e saktë, pasi ne e kemi denoncuar gjithmonë aferën e CEZit
dhe në mënyrë permanente.

JOZEFINA TOPALLI: Nuk isha në dijeni të kësaj që thoni…
LULZIM BASHA: Kjo është situate…
JOZEFINA TOPALLI: Nuk e kam të qartë se pse u deshën nëntë muaj që të arrijmë në këtë përfundim se u dashka hetim për CEZin…Çfarë fshihet pas kësaj heshtjeje nëntëmujore? Këtë nuk e
kuptoj.

LULZIM BASHA: Gjatë gjithë kohës kemi mbledhur dhe e kemi denoncuar këtë aferë në bazë të fakteve dhe provave.

JOZEFINA TOPALLI: Po, por gjithmonë, pasi e ka denoncuar Berisha. Unë vërej se ju denonconi pasi denoncon i pari z.Berisha. Ndaj dua të di, pse denoncon z.Berisha gjithmonë i pari dhe jo ju që
jeni kryetar i partisë? Kjo ndodhi edhe së fundmi me rastin e Emiljano Shullazit.

LULZIM BASHA: Nuk është e vërtetë kjo që thua. I vetmi njeri që është kërcënuar nga Shullazi jam unë. Ne kemi strategjinë tonë me faktorë të ndryshëm të veprimit: kush flet, si do flasë dhe kur do
flasë.

JOZEFINA TOPALLI: Presupozohet që ti do të jesh kryeministër i ardhshëm dhe duhet t’u dalësh për zot qëndrimeve që i takojnë një kryetari partie. Ndaj ne duhet të ngremë njerëzit në protesta, gjendja në vend është alarmante. Shqiptarët po ikin nga vendi jashtë shtetit nga varfëria. Vendi po bëhet çdo ditë e më i pasigurt, ndaj ne si opozitë duhet të ngremë shqiptarët në këmbë. Kjo është detyra jonë përballë një situate të tillë. Duhet një opozitë e fortë, dhe jo e dobët e me reagime të vonuara.

LULZIM BASHA: Protestat kanë filluar qëkur dhe janë shpërndarë në të gjithë vendin. Protesta po bëhen në çdo qytet të Shqipërisë. Por dua t’ju kujtoj se njerëzit nuk ngrihen në protesta me bilbila. Më thoni sa veta nga ju kanë dalë në terren, sa deputetë të grupit tonë parlamentar kanë dalë të motivojnë njerëzit për protesta? Më thoni, kush ka dalë nga ju? Por unë ju them se protestat po bëhen dhe do të bëhen edhe në ditët në vijim.

SALI BERISHA: Unë do t’u kujtoja të gjithë ish-ministrave në bazë të fushave përkatëse që ata kanë pasur gjatë qeverisjes sonë, që të bëhen pjesë e komisioneve hetimore dhe asnjëri të mos i bëjë bisht punës, por të angazhohet secili në bazë të asaj çfarë kanë mbuluar më parë. Kjo është e rëndësishme.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: