TIRANE- Një ditë pasi gjykata la në burg 23-vjeçarin Vilson Brahja, i cili akuzohet për vendosjen e tritolit në banesën e Gazmir Dacit, në Kamëz, policia ka shpallur në kërkim shtetasin Sajmir Kolaveri.

Ndonëse Brahja nuk tregoi porositësin, burime për “BalkanWeb” thonë se i dyshuar për porositjen e shpërthimit të tritolit në 27 korrik në Bathore, është Sajmir Kolaveri.

Burimet sqarojnë se po kryhen të gjitha verifikimet, ndërkohë që pista kryesore është ajo e hakmarrjes, pasi Gazmir Daci është i dënuar me burg për vrasjen e Valmir Kolaverit dhe plagosjen e vëllait të tij, Robertit.

KONFLIKTI DACI-KOLAVERI
Valmir Kolaveri u vra nëntorin e vitit 2015 në Kamëz, ndërsa Gazmir Daci u arrestua 1 muaj më pas si autor i kësaj ngjarjeje. Sipas dosjes së prokurorisë, në mbrëmjen e datës 4 nëntor 2015, rreth orës 18.00, Gazmir Daci ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij privat të markës BMW X5, në rrugën “Demokracia” në Kamëz, kur është hasur me Robert Kolaverin. Për shkak të konflikteve të vjetra të sipërpërmendurit kanë ndaluar mjetet pranë njëri-tjetrit dhe Gazmir Daci ka zbritur prej tij dhe me një armë të tipit pistoletë në dorë, ka shkuar në drejtim të mjetit, ku ndodhej Robert Kolaveri.

Në momentin e përballjes fizike ata janë konfliktuar me njëri-tjetrin me fjalë dhe në prag të përfundimit të konfliktit, Gazmiri e ka kanosur për vrasje Robertin. Pas largimit të Robertit, Gazmir Daci ka komunikuar në telefon me Valmir Kolaverin, i cili është edhe vëllai i Robertit. Biseda mes tyre ka qenë e tensionuar dhe e shoqëruar edhe më fjalë kërcënuese e fyese.

Në përfundim të kësaj bisede, Gazmiri ka shkuar me mjetin e tij në drejtim të njësisë tregtare, ku mendonte se ndodheshin dy vëllezërit. Në vazhdim e sipër të konfliktit, ai ka nxjerrë armën e tipit pistoletë, që kishte me vete dhe ka qëlluar me të në drejtim të Robert Kolaverit. Kur ky i fundit është rrëzuar në tokë dhe vëllai i tij, Valmiri, ka marrë një send të fortë në tokë, për t’u mbrojtur nga sulmi i armatosur i të pandehurit, por edhe ai është qëlluar në trup me armë nga i pandehuri dhe është rrëzuar në tokë. Për shkak të plagëve të marra, Valmir Kolaveri ka gjetur vdekjen, ndërsa vëllai i tij u është nënshtruar ndërhyrjeve operatore dhe u ka mbijetuar plagëve të marra.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb