Shoqata e Pëllumbave në qarkun e Korçës që prej vitit 2003 vijon të ruajë një nga traditat më të veçanta sportive në vend, atë të garave me pëllumba sportivë, një aktivitet që vitet e fundit ka ngjallur interesin e shumë pjesëmarrësve.

Këtë fundjavë çeli siparin gara e radhës, ku rreth 450 pëllumba nga Korça, por edhe qindra të tjerë nga qytete të Shqipërisë, po përshkojnë një distancë prej rreth 240 kilometrash, duke u nisur nga Prishtina.

Koha mesatare e mbërritjes sipas organizatorëve llogaritet rreth 2 orë e 30 minuta, ndërsa çdo performancë monitorohet me anë të çipave identifikues që regjistrojnë saktësisht kohën e kthimit.

Sipas organizatorëve, gara has në sfida të ndryshme, sidomos në lidhje me procedurat kufitare dhe rrezikun nga gjuetarët, të cilët shpesh ndikojnë negativisht gjatë fluturimeve.

Pjesëmarrësit me përvojë, si Seladin Mema dhe Sotiraq Vesho theksojnë se suksesi kërkon përgatitje të gjatë dhe përkushtim maksimal.

Garat e pëllumbave sportivë po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi si një formë e veçantë e sportit tradicional në Shqipëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb