Pas një dokumenti që i referohej si “non-paper” i kryeministrit slloven, Janez Jansha, ku flitej për ridefinim të kufijve në Ballkan, është publikuar një tjetër “non-paper” që flet për një marrëveshje Kosovë-Serbi.

Dokumenti i ri i referohet Francës dhe Gjermanisë, ku flitet për formimin e një distrikti autonom në veri të Kosovës e që do të përfshinte komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Sipas këtij dokumenti, themelimi i këtij distrikti do të lehtësonte njohjen e Kosovës nga Serbia.

Ish-Ambasadori i Kosovës në SHBA dhe Turqi, Avni Spahiu, thotë se këto dokumente janë vetëm dezorientim i një realiteti jo ekzistues.

“Këto janë opsione po lindin si balonë provuese se si do të reagojë Kosova dhe vendet tjera që përfshihen në këto letra. Duhet pasur shumë kujdes, sidomos ne në Kosovë duhet ta kuptojmë realitetin. Kjo është një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga realiteti ekzistues”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Avni Spahiu.

Ndërsa profesori i shkencave politike në Francë, Nezir Kraki, thotë se duhet refuzuar këto ide që prekin territoret, përcjell Telegrafi.

“Nuk ka ide të pranueshme që prekin territorin dhe çrregullimin e brendshëm të Kosovës dhe ato duhet refuzuar me automatizëm”, deklaroi Nezir Kraki.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde ka mohuar se një dokument i tillë i përket Gjermanisë dhe Francës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb