“Shqiponja” Khabib Nurmagomedov nuk do të jetë më pjesë e MMA. Pasi mbrojti titullin kampion në këtë sport kaq të vështirë ndaj amerikanit Justin Gaethje, luftëtari nga Daghestani bëri dhe njoftimin e papritur të tërheqjes së tij.

Ndeshja u mbyll në raundin e dytë pasi Khabib bëri një kapje shumë të bukur të kundërshtarit që e detyroi të dorëzohej. Në momentin kur gjyqtari shpalli fituesin dhe nofkën “i pamposhturi”, Khabib hodhi dorezat në mes të ringut duke njoftuar tërheqjen.

Me 29 fitore në 29 ndeshje, kampioni u shpreh se nuk mund të luftonte më pa pasur në krahë babanë dhe trajnerin e tij Abdul, i cili ndërroi jetë për shkak të koronavirusit disa javë më parë.

Khabib tha se i kishte premtuar nënës së tij se do të tërhiqej dhe se është njeri i fjalës. ′′Ji afër me prindërit. Asnjëherë nuk e dini se çfarë do të ndodhë nesër”, u shpreh 32-vjeçari. Babai i tij ishte një nga njerëzit që e ndihmonte dhe e stërviste atë. “Ti nuk mund ta dish çfarë mund të ndodhë të nesërmen”, u shpreh ai pasi mori titullin dhe u tërhoq nga ky sport.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb