TIRANË- Pritet që në Bashkinë Sarandë Partia Socialiste të kandidojë një femër. Pikërisht 38-vjecaren Floriana Koka. Lajmin e konfirmon gazeta “Shekulli”, e deputetit Koço Kokëdhima. Gazeta citon burime jo zyrtare nga strukturat lokale të PS-së së Sarandës. “Floriana Koka është 38 vjeçe, ajo ka studiuar gazetari me rezultatet të shkëlqyera dhe flet tre gjuhë të huaja”,- shkruan gazeta e deputetit Kokëdhima. Më tej në një prononcim për gazetën, vetë kandidatja thotë:

“Jam shumë e qartë për atë çfarë mendoj të bëj nesër si kryetare e ardhshme e Bashkisë së Sarandës, një detyrë që e konsideroj si detyrën më të lartë në shërbim të komunitetit, të cilën angazhohem ta kryej me përgjegjshmëri, me qytetari dhe veçanërisht me respekt të plotë për çdo qytetar të Bashkisë së Sarandës, nga ai më i thjeshti dhe më i varfëri, deri tek biznesmeni më i fuqishëm”.

Floriana Koka ka mbajtur më parë detyrën e drejtoreshës se Burimeve Njerëzore në Bashkinë e Sarandës, ndërsa ende nuk dihet nëse zgjedhja e saj është një taktikë e Kokëdhimës, pasi me kryebashkiakun aktual Stefan Çipa deputeti ka pasur disa divergjenca.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb