Nga Fatmira NIKOLLI

Lexuesi kupton mirë se unë nuk jetova as nji shekull vetëm. Vendi në të cilin linda, më suellën fat ose fatkeqësi, – queje si të duesh – që unë të jetojshëm si në epokën e gurit, në shekullin e njizetë. Por unë nuk jam i knaqun nga të gjitha këto. Unë kam aspirue gjithmonë nji epokë ta ardhshme për krejt njerëzimin. Do të vijë ndonjëherë ajo? Unë, besoj!- At Zef Pllumi “Dhetë vjet liri”, Botime Françeskane, 2017.
Libri i fundit, lënë me porosi që të botohej vetëm pas vdekjes së tij, ka dalë në dritë më në fund. Shkruan se ka lind mes maleve pranë Bogës, në dushk. Kërthizën e ëma ia preu më sakicë. Është saga e fëmijnisë, gjithë ç’mbante mend frati për vitet e para, a ç’i kishin thënë – kur fisit të Gjekmarkajve u lindi djalë, shtinë me pesë fishekë. Jeta pat nisur krejt e zakonshme. Flet për pishën molike, për qingjin rrunak, për mishin n’ferlik, për bimën e mjedrës, për rubën e kokës, flet edhe për Tenzonë, e për t’ramin mohit. Kallxon rrenën e parë, kur hala i thirrshin Prekë, kur hante në bludë, e mbërrin te dëshira me u ba frat, në kohën kur ujin e merrte në saranxha. Kujton se për herë të parë ka thënë se do të bëhet frat më 1941, e kur i ati e pa për seri, ai kërcënoi se do mbytej në pus, po të mos e linin. Kujton dom Alfons Trackin “mësuesin” e parë, pranimin n’kolegj në moshën 7-vjeçare, orën e parë të mësimit me At Gjergj Fishtën, kur ai pat thënë se “këta duhet të jenë shkrimtarët e së nesërmes” a kur tha se “kur mungon dhantia, ma mirë të baheni doktora e inxhinera, ose edhe këpuctarë se sa shkrimatrë t’këqinj” pasi ai mendonte se një shkrimtar i keq, i ban ma shumë dam popullit që lexon. E pat marrë ‘Lahtunë e Malcis’ me autograf e kur më 11 dhjetor 1946 e nxorën prej Kuvendit Franceskan nuk mundi të marrë asgjë me vete, veç asaj Lahute.
Ka në këtë libër fjalë të mbajtura, e letërkëmbime me intelektualë si Petro Zheji e meshtarë si Ambroz Martini, ka kritika për “përkthimin” në gjuhë letrare të Lahutës së Malcis, ka ese e kujtime për meshën e parë në Shkodër, për të cilën pat frikë se do përdorej nga regjimi i parënë se do përdorej si “dëshmi” e lirisë së besimit para Këshillit të Europës. Kujton se me 25 nëntor, njerëzit qenë mbledh për meshë në Rrmaj, “edhe me kobure n’brez. Edhe me dekë në ras nevoje”. Kujton meshën e parë në Tiranë për Krishtlindje, meshë më drita borxh, me ndihmën e myslimanëve çamë me të cilët kishte qenë në burg. Në vitin 1991, ai ishte një ndër 28 meshtarët e mbetur gjallë (nga 180), ishte një nga 8-9 meshtarët që mundeshin të shërbenin.


IN MEMORIAM
Në përkujtim të 10-vjetorit të ndarjes prej nesh të fratit, Biblioteka Kombëtare çeli një ekspozitë e mbajti një forum. Studiues që kanë njohur së gjalli, e të tjerë që kanë lexuar dorëshkrimet e lanuna të fratit, rrëfyen ç’dinin e ç’mbanin mend.
Në të gjallë, Pater Zefi nuk ka qenë prifti komod me pushtetin. Janë një sërë letrash që u çon ministrave e deri presidentëve e kryeministrit për çështje të arsimit e kulturës, për “programet mësimore të Enver Hoxhës që u është heq vetëm emri i Enver Hxohës”.
Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës, i ka parasysh këto kur thotë se Patër Zefit s’do i kishin pëlqyer gjithë këto mikrofona “si kunora që çohen në funerale që i vdekuni s’i sheh”. Ajo e kujtoi fratin françeskan me fjalët e tija në një përkujtimore për 10-vjetorin e ikjes në amshim. “Dekoratat, çmimet dhe fjalët e bukura janë kallb e amballazhim fallco për një njeri që mision kishte të vërtetën lakuriqe”, – kujtoi ajo po ashtu me të folme në standard, por me theksin e gegshites, çka u prit për herë të dytë me batutë nga prof.Sabri Hamiti, pas batutave të para do kohëve mbi gegnishten e Mjedës.
“Në një vend kaq të trazuar si yni ku shpesh edhe nderimet e çmimet janë ndotur e përzier, mes viktimave dhe persekutorëve….”, tha ministrja, “që ujërat do të mbesnin gjatë të turbullta, që prirja do të ishte për të përzier egjrën me grurin, të ligun me të mirin, e kuptoi shumë herët At Zef Pllumi dhe na dhuroi një libër udhërrëfyes, një Bibël të mendimit, librin amanet për brezat e rinj, librin që shpjegon me vërtetësi dhe pa mllefe e urrejtje gjithë ferrin komunist”.
Shtoi se pikërisht për sa më lart, çdo veprim në këtë drejtim është një gur i vogël që vendosim për të pastruar themelet e kalbura. “Këtij misioni i shërben nisma e hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, këtij misioni i shërben dhe ndërtimi i një itinerari të ‘Rrugëve të kujtesës’, të vendosur në prioritetet e politikës sonë kulturore, si pikëtakim me të shkuarën për të mos harruar dhunën komuniste, e për të mos e lejuar të përsëritet”. Këtij misioni – tha Kumbaro – i shërben dhe “Edukimi përmes kulturës”, që i shkon për shtat motos së At Zefit: “Kemi jetuar pa bukë, kemi jetuar edhe me pak plaçka, por pa shkollë, pa kulturë nuk jetohet”. Tha në fund, se gjithsesi çdo gjë që do të bëhet do të duket fare pak para veprës së këtij njeriu të vetëm, që e bëri pa bujë e pa premtime, si detyrim për të gjithë ata martirë që nuk u përshtatën me të keqen. “Vepra e tij nuk është thjesht një autobiografi, apo një roman-histori, është një himn për virtytet njerëzore, himn për qëndresën”, theksoi ministrja.


Për Persida Asllanin, drejtoren e Bibliotekës Kombëtare, një tjetër studiuese që e pat njohur së gjalli, ekspozita modeste “In memoriam At Zef Pllumi” duhet të jetë pragu i rikthimit të dëshmisë në zemrën e lënduar të historisë, ashtu siç e pat shpresuar vetë “fratel Zefi” qysh kur plagët në trupin e dërmuar prej torturave, varur në trungun e pjeshkës në oborrin e degës së brendshme, ia përthante era e ftohtë e dhjetorit.
Përkthyesja franceze e veprën së tij memuaristike “Rrno për me tregue”, Odil Daniel, kujtoi se ka vërejt te frati ngulmimin me ndriçue mendjen përmes kulturës, se vlera e një kombi nuk çmohej te numri i dhenve. “Kur At Zef Pllumi më priti në aeroportin e Rinasit u habita dhe sapo e pashë, vura re se fytyra i shndriste nga gazi, sytë i qeshnin, ishte mbresëlënës gëzimi që shprehnin ata sy edhe pas aq vuajtjesh që ai kishte qenë i detyruar të përballonte në jetë”. Kujtoi vizitat me Pater Zefin në Kepin e Rodonit e në kishën e Rubikut.
Pater Zefi te “Françeskanët e Mëdhaj” ka një kushtim për Jezu Krishtin, i cili e përshkoi vetë këtë rrugë, prej kopshtit të Gjetsemanit, në gjykatë e në kalvar”, për gjithë pjesëtarët e kishës që me vdekjen e vet bënë dëshmi për fenë dhe dashurinë; duke kërkuar për të gjithë persekutorët mëshirë e falje – nga një njeri që pat kaluar 25 vjet në burgje e kampe pune.
Janë shënimet e njeriut që diti të jetojë e diti të vdesë, e që gjer në vdekje (na) mësoi pa prá si jetohet, pa mëri, pa inat, pa hakmarrje, me luftën që deri në çastin e mbramë me mbetë njeri!

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: