TIRANE- Muzeu Historik Kombëtar ka bërë të mundur daljen në dritë të botimit “Studime Muzeologjike”, i cili vjen sërish për lexuesin e interesuar, këtë herë në numrin 7 të tij. “Studime Muzeologjike” është organ i Muzeut Historik Kombëtar.

Si i tillë, ai është i përqendruar, por jo i kufizuar në tema dhe emrat e bashkëpunëtorëve.

Dalja në qarkullim e “Studime Muzeologjike-7” u bë e mundur përmes punës së një redaksie të zgjeruar e mjaft të kualifikuar, anëtarë të së cilës janë: Drejtori i Muzeut Historik Kombetar Dorian Koçi, Prof.Dr. Pëllumb Xhufi, Prof.Dr. Luan Përzhita, Prof.Dr. Persida Asllani, Dr.Ardit Bido.

Në numrin 7-të të tij, revista shkencore “Studime Muzeologjike” ka të përzgjedhur një seri shkrimesh, të cilat i përmbahen muzeologjisë, historisë, antropologjisë, por ka të trajtuara gjithashtu dhe histori arti, konservim e restaurim.

Revista përmban 12 shkrime me tema të ndryshme, ku të bien në sy ajo e shkruar nga Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi me titull: “Dy kisha Romako-Gotike në Shqipërinë e Epërme”. Më pas vjen punimi i Andrea Llukanit me titull: “Ikonat e Zografit në Muzeun Historik Kombëtar”; punimi mjaft interesant i Ledio Xhoxhit me titull: “Si mundet muzeu im të ndihmojë vizitorët me probleme në shikim”. Ndërkohë që janë paraqitur me punimet e tyre Prof.Dr. Luan Përzhita, Prof.As.Dr. Shaban Dervishi, Prof.As.Dr. Frederik Stamati, Prof.Asoc.Dr. Ermal H.Baze, Tatjana Alimema, Etleva Demollari, Alban Meta e Sokol Çunga.

Qëllimi kryesor i kësaj reviste shkencore është: të stimulojë debatin rreth vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare. Nëpërmjet revistës “Studime Muzeologjike”, Muzeu Historik Kombëtar nxit dhe inkurajon veprimtarinë kërkimore-shkencore në fushën e muzeologjisë, historisë, antropologjisë, konservimit dhe restaurimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb