Nga: Raimonda SHUNDI

Saranda dhe të huajt për ne – “Plehrat, rrugët e pamundura, shtëpitë e papërfunduara e zarzavatet e shitura në pluhur, nuk mund të shkojnë kurrsesi me peizazhin mahnitës apo pagesat e ulëta të tavolinave të shijshme shqiptare”; ky është konstatimi i vazhdueshëm i një grupi Valdostan në Sarandë dhe Tiranë.

“Si ka mundësi që në gjithë këtë peizazh që të kap syri ju nuk keni mundur të ndërtoni një aeroport gjigand apo një linjë treni?”, më pyesin vazhdimisht miqtë e mi nga Aosta, Giulia, Paolo dhe Carlo, të cilët erdhën në Tiranë më qëllimin e blerjes së një apartamenti në zemër të Sarandës. Përpiqem t’i sqaroj situatën e komplikuar në të cilën ne ndodhemi. Për të ndërtuar gjithë këto, na duhet kjo, kjo, edhe kjo…, por ne jemi të kushtëzuar me marrjen e kësaj, apo asaj, pasi fondet duhen çuar këtu apo aty-këtu… si rrjedhim kriza nuk na lë asnjë hapësirë të lirë që ne të mundemi të bëjmë këtë apo atë investim gjigand. “Por kjo ju sjell para, ju lidh shpejt me veriun apo jugun e Shqipërisë, ju rrit mirëqenien e natyrisht ju bën më të ekspozuar” e të vizituar. Dhe unë nis të rishpjegoj se ne kemi në këtë fazë këtë apo atë prioritet, ndërkohë që Paolo ndal makinën dhe thotë “Po këto?!” (duke treguar nga shishet plastike të kudogjendura në lëndinat e anës së rrugës) “Pse janë kudo?! Pse të hidhen ndërkohë që mund të mos lëshohen si t’u vijë banorëve e të mblidhen në vendin e caktuar duke bërë që edhe kafshët shtëpiake të kullosin shëndetshëm? Pse nuk shoh plantacione me rrush për të zhvilluar ekonominë private të biznesit të verës apo derivateve të tij?!” Pse, pse, pse…
Jetojmë kohë ku reklamat e fryra dhe nacionalizmi televiziv na bëjnë të shohim kronika hiperbolike të bizneseve private që kanë nisur të lulëzojë duke u sforcuar individualisht t’ia dalin në këtë terren aspak solidar. Shohim vendas apo të huaj se si ia dalin, mbijetojnë, duke pasqyruar vetëm finalizimin e punës së tyre (të cilën ne e konsumojnë çdo ditë në tavolinat tona), emisione pa fund për sukseset e prodhimit shqiptar. Por a mjafton vetëm ky realitet karikues?! Pse duhet të përballemi ende me natyrën tonë, e cila po asfiksohet nën hijen e mbeturinave, mbetjeve, djerrizimin apo më keq akoma, keqpërdorimin e dhuratës natyrë që na takon prej lindjes? Kaq pyetje dhe asnjë përgjigje dëshiruese. Sapo kalon kufirin përballemi me realitete të trishta për Shqipërinë tonë: rrugë të gjera, sisteme sinjalistike, pyje të kuruara, turizëm i organizuar dhe shtet i cili di të menaxhojë resurset e veta natyrore. Matematikë e thjeshtë, por ne na shkojnë në xhepat e gabuar. Një shprehje e jona thotë “si është oborri është shtëpia, si është e ëma dhe e bija”. Këtë panë miqtë e mi nga Aosta dhe natyrshëm thanë se ne jemi bijtë e një nëne jo të kujdesshme për atë çka posedon. Natyrisht që kemi kaq shumë përmbytje, erozione apo djegie masive të pyjeve dhe kullotave që herë-herë janë të qëllimshme, por qëllimshmëria e akteve të fundit lidhet dhe është rrjedhojë e papërgjegjshmërisë sociale. Papërgjegjshmëria ndaj natyrës së begatë që na e ka dhuruar zoti, shkon deri ne ekstrem, po t’i referohemi papërgjegjshmërisë dhe sjelljes, marrëdhënies dhe përkujdesit ndaj miqve më të mirë të njeriut, siç janë qentë dhe macet. Bashkëjetesë aspak e bukur dhe mikpritëse me ta. Siç shohim plehrat, ndërtesat e dhunuara, hasim edhe mungesë respekti për qentë dhe kafshët fatkeqe. Vrazhdësitë traumatike pikëllojnë ditët tona kur përpiqemi të shëtisim në rrugët e qytetit tonë. Mungesa e këtij raporti njeri-kafshë-ambient, është normaliteti më i trishtë, të cilët të huajt, por edhe ne po të jemi të vëmendshëm, e shohim. Pse kaq shumë egërsi në Shqipërinë tonë të vogël?? Pse dominon jo-harmonia në vend të ylberit të paqes dhe diellit të mendjes së hapur? Deri kur kjo panoramë do të na vrasë sytë, ne dhe miqve tanë të huaj, të cilët vijnë për të bashkëjetuar, punuar apo projektuar vazhdimësinë në këto 28 mijë kilometra katrorë? Dyanësia e shtëpive të luksit shpejt përballet me kasollet ndërtuar keqas gjatë gjithë rrugëtimit tonë. A ndjehen kështu edhe politikëbërësit tanë teksa shoqërohen nga diplomatë të huaj dhe shohin se sa shumë është “zhvilluar” vendi aspirues për në BE?! Dikush thotë se politika është pjesë e këtij realiteti, pra si janë këto “shtëpi skelet” (shprehja e vazhdueshme e Gulia) janë edhe ata. Por unë e dua vendin tim dinjitoz, siç dua dinjitetin tim, dinjitetin e fëmijëve, dinjitetin e fqinjëve dhe dinjitetin e globit. Kur do të vijë dita që aeroplani nga lart të pasqyrojë një panoramë optimiste ku gjelbërimi (dhe jo ai për të cilin keqkomentohemi) të na sjellë shpresë, e kur shumë miq dashamirës të jetojnë duke ndarë kulturat e përbashkëta njerëzore qetësisht? Dhe kur do të vijë ajo ditë kur fshatari apo qoftë edhe qytetari kryeqytetas të kuptojë rëndësinë e hedhjes në kosh të mbeturinave dhe riciklimit të tyre?! Dikur do të vijë. Do të vijë atëherë kur ne si shqiptarë do të ndërgjegjësohemi që të qenit shqiptar është një vlerë, është një privilegj dhe nder. (Sa keq ta mbyllësh materialin me këtë shpresë!)
Burimi: http://www.gsh.al/2018/03/24/shqiperia-ceshte-dhe-cdo-te-jete/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: