NGA: ZONJA VJOLLCA
Përbërësit

800 gr kumbulla të freskëta
150 gr sheqer kaf
150 gr gjalpë
1 bustinë sheqer vanilje
3 të verdha veze
300 gr miell
Përgatitja
Fillimisht ngrohim furrën në temperaturën 180 gradë Celsius.
Vendosim në një tigan të thellë gjalpin, sheqerin dhe vaniljen. E shkrijmë në zjarr mesatar derisa sheqeri të tretet pak. E largojmë më pas dhe e lemë të ftohet për disa minuta.
Ndërkohë kumbullat e lara dhe të thara i presim në feta.
Vendosim miellin në një tas ku shtojmë 3 të verdha veze dhe me anën e një mikseri vezësh përziejmë së bashku miellin me vezët. Shtojmë gradualisht gjalpin me sheqer duke e trazuar mirë derisa të formohet një brumë i thërrmuar. Më pas ¾ e brumit e shtrojmë në një tavë keku duke krijuar bazën e tortës dhe duke e ngjeshur mirë me ndihmën e një luge. Fillojmë të shtrojmë fetat e kumbullës duke i alternuar njëra pas tjetrës derisa të mbushet komplet sipërfaqja. I spërkasim fetat e kumbullës me pak sheqer dhe në fund shpërndajmë mbi to pjesën tjetër të thërrimeve të brumit. E vendosim tortën në furrë në temperaturën 180 gradë Celsius për 45-50 minuta.

(da.xha/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb