Ashtu siç kishte paralajmëruar fiks në orën 11:00 Presidenti Meta doli në konferencë për shtyp. Përmes ironisë ai përshëndeti votimet e 30 qershorit, që i quajti të suksesshme, por edhe shqiptarët, që siç tha evituan një konflikt civil.

“Përshëndes votimet e suksesshme socialiste. Përqafoj gjithë shqiptarët që evituan një kurth dhe komplot të nisur prej kohësh për të shkuar drejt një përplasje civile, komplot që nuk bazohet në parimet e demokracisë, as në vlerat e BE dhe NATO”,- tha Meta.

Presidenti tha se alternativa e tij për zgjidhjen e krizës ishte një axhendë ndryshe nga ajo e opozitë jo parlamentare, që është “Rama ik”.

“Ajo ishte Rama reflekto, që pas zgjedhjeve të 30 qershorit, sipas Metës është kthyer në Rama kthjellohu.

“Nëse nuk je i pavarur të marrësh vendimet e duhura, unë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm që kanë ende gjak shqiptari do ta mbrojnë Shqipërinë nga gjithë ata miliarderë që i duket Shqipëria mizë lisi e mund të tallen”, tha Meta.

Gjatë konferencës për shtyp pas procesit të 30 qershorit, kreu i shtetit tha se dekretin e tij i fundit që caktoi datën 13 tetor për zgjedhjet lokal, nuk mund ta gjykojë Kolegji Zgjedhor, por vetëm Gjykata Kushtetuese e cila ende nuk është funksionale dhe pritet të krijohet në fund të korrikut.

“E ftoj z. Rama të tregohet i përgjegjshëm. I ftoj përfaqësuesit e huaj të mos bëhen qesharak. Të mos tallen me Kushtetutën tonë. Sepse u tallën njëherë në 2008-ën. Duhet t’i zgjidhim çështjet vetë këtu si burra shteti”, tha ai.

Ndërsa për reformën në drejtësi, Meta tha se, u shndërrua në “Ramaformë”.

“Opozita ka axhendë Rama ik, unë Rama reflekto. Si kam kërkuar t’i lerë karrigen Lulit. Edhe Bashës i kam thënë mos iu shmangni institucioneve. Po t’i kishin dëgjuar më parë këshillat e mia, shumë më mirë do kishin dale dhe as 5 % e shqiptarëve s’do kishin dalë. Socialistët janë njerëzit që kanë dhënë më shumë për demokracinë. Nuk po i kërkoj Edit karrigen e tij. Të votohemi nga populli, nuk do asgjësojmë demokracinë se kemi frikë nga populli. Mos harroni, në këtë godinë, pyesini prof. Meidanin, kam ikur nga këtu vetëm për një arsye për të mos cënuar integrimin europian”, tha Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb