TIRANE

Një protestë e ashpër dhe e dhunshme, ajo e zhvilluar këtë të shtunë nga opozita përpara godinës së kryeministrisë. Ndryshe nga herët e tjera në protestën e katërt kombëtare opozitare pati disa herë tensione, teksa protestuesit hodhën bomba molotov, tymuese e fishekzjarre jo vetëm në drejtim të godinës së kryeministrisë por edhe të forcave të policisë të dislokuara përpara saj. Protestuesit nuk kanë kursyer as ambjentet e Kuvendit.

Në momentet kur lideri i opozitës Lulzim Basha po mbante fjalën e vet në mes të turmës duke i dërguar mesazhe kryeministrit Rama për t’u larguar njëherë e mirë e për t’i hapur Shqipërisë rrugën europiane, u ka bërë thirrje edhe protestuesve të mos lëndojnë policinë.

Për të shpërndarë turmën e protestuesve, ndërsa situata dukej e tensionuar punonjësit e policisë përdorën gazin lotsjellës duke detyruar edhe kryedemokratin Basha të ndërpresë fjalimin në podium dhe të largohet përkohësisht për t’u kthyer përsëri.

Disa herë policia ka apeluar me megafon Lulzim Bashën dhe Sekretarin e PD Gazmend Bardhi, që protestuesoit të mos përdorin dhunë mbi policinë. Nga tensionet e krijuara të lënduar mbetën qytetarë dhe efektivë të policisë të cilët janë larguar me ambulancë nga protesta për t’u trajtuar në spital.

Rreth orës 21:00 turma u zhvendos tek Parlamenti ku situata u tensionua sërish me molotov e fishekzjarre. Dhuna e më pas ndalimi i sekretarit organizativ të PD, Sahit Dollapi, nga forcat e rendit ndezi edhe më shumë protestën, ndërsa kryedemokrati Basha zhvendosi turmën drejt Drejtorisë së Policisë, ku sërish nuk munguan përplasjet e aktet e dhunshme me policinë.

Opozita vendos protestën e radhës, të dielën një tjetër aksion

Ora 01:20 – Opozita vendos për aksionin e radhës. Rezultati i mbledhjes së strukturave të PD-së dhe LSI-së është një protestë të hënën. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë në PD se protesta do të mbahet të hënën në orën 19:00. Por ndërkohë nesër pritet një tjetër aksion.

PD-LSI mbledhin strukturat, Basha: Rama i shpalli luftë popullit

Ora 00:22 – Pak para nisjes në mbledhjes urgjente të strukturave të PD e LSI, kryedemokrati Lulzim Basha iu drejtua protestuesve, duke i falenderuar ata për pjesëmarrjen. Basha akuzoi Ramën se sot i shpalli luftë popullit të tij.

Situata/ PD thërret urgjent strukturat e saj më të larta

Ora 00:05- Partia Demokratike thërret në një mbledhje urgjente strukturat e saj më të larta pas situatës së krijuar dhe protestës mbi 5 orë të opozitës. Nga zyra e PD bëhet me dije se mbledhja pritet në nisë në orën 12:15 pas mesnate.

Protestuesit nuk ndalen as te Drejtoria e Policisë, shpërndahen me autobote uji

Ora 22:52- E tensionuar është situata edhe pranë drejtorisë së policisë së Tiranës, ku protestuesit kërkojnë të lirohet sekretari organizativ i PD-së Sait Dollapi. Edhe këtu policia ka shpërndarë turmën duke përdorur autobotet me ujë apo edhe gazin lotsjellës

Basha tërheq turmën tek Policia e Tiranës: Lironi Sait Dollapin

Ora 22:21 – Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar ashpër pas dhunimit dhe ndalimit të sekretarit organizativ të PD-së Sait Dollapi. Ai tha se është dhunuar me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Sandër Lleshaj, ndërsa gjatë gjithë protestës ka mbrojtur policinë.

Policia nis shoqërimet, ndalohet e dhunohet Sait Dollapi

Ora 22:01– Policia e Shtetit ka nisur shoqërimet e protestuesve. Gazetarët tanë në terren raportuan se forca të shumta policie kanë rrethuar sekretarin organizativ të PD, Sait Dollapi, i cili është qëlluar nga policët, që e kanë marrë me forcë.

Ndizet tek parlamenti, molotov, fishekzjarrë e gaz lotsjellës

Ora 21:19 – Turma e protestuesve ka rrethuar parlamentin dhe protestuesit po hedhin vazhdimisht mjete piroteknike drejt godinës dhe policisë. I gjithë oborri i parlamentit duket në flakë dhe i mbuluar nga tymi. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se policia ka hedhur gaz lotsjellës por në sasi më të pakët. Mes protestuesve janë edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi.

Opozita zhvendos turmën te parlamenti: Vendi ku strehohet krimi

Ora 20:56- Rreth tre orë pas nisjes së protestës, opozita zhvendos turmën e protestesve drejt Parlamentit nën udhëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha.

“Të gjithë drejt zonës ku strehohet krimi. Të gjithë pas liderit të opozitës.” -kërkoi Noka prej protestuesve.

Tjetër përplasje/ Protestuesit prishin gardhin metalik

Ora 20:11– Një përplasje ka ndodhur mes protestuesve në krahun e sipërm të Kryeministrisë, nga ana e Rognerit. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se pProtestuesit, në krye të të cilëve ishte ish-deputeti Flamur Noka kanë rrëzuar gardhin metalik të vendosur nga policia dhe janë futur në pjesën e lulishtes së Kryeministrisë duke u konfrontuar me forcat e policisë.

Protesta e dritës/ Qytetarët ndriçojnë bulevardin me duart lart

Ora 20:05- Një tjetër skenografi e opozitës në bulevard. Qytetarët e mbledhur në protestën e thirru nga opozita kanë ndezur të gjithë telefonat e tyre celularë duke i ngritur lartë si pjesë e protestës së tyre kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Protestuesit kanë nisur marshimin rreth Kryeministrisë.

Basha apel protestuesve: Mos qëlloni policinë, beteja jonë me qeverinë

Ora 19:45- Ndërsa situata u tensionua kryedemokrati Basha apeloi protestuesit të mos qëllojnë në drejtim të forcave të policisë. Basha tha se beteja është me atë që e konsideron qeveri të krimit dhe jo me punonjësit e policisë

“Mos sulmoni policinë beteja jonë është e lidhur me krimin, me qeverinë e krimit, beteja jonë nuk do të përfundojë. Asnjë s’ka ardhur të lëndojë apo të prekë vëllezërit e motrat me uniformë, qëllimi për një mesazh të prerë e final kryebandit Edi Ramës, dhe mesazhi për të është : Rama ik. Le të vazhdojmë qëndresën tonë protestën tonë, misionin tonë s ka forcë që e ndal.

Këtë betejë nuk e bëjmë për pushtet, për parti për karrige, nuk e bëjmë për mandate, mandatet tona ishin të pastra nga krimi e droga por ne ia kthyem qytetarëve sepse nuk do të ketë më parlament fasade e zgjedhje false. Nuk ka gaz lotsjellës e brutalitet policor ta ndalë e ta shpërndajë vullnetin tonë sot. Bashkohuni miqtë e mi, vëllezër e motra. Protesta vazhdon e do të vazhdojë.

Beteja do të vazhdojë deri në fitore. E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa. Asgjë më kriminale nuk ka se pasi të vjedhësh taksat e popullit ti përdorësh ato për të helmuar protestuesit. Prandaj si garancia e vetme për kushtetutë dhe ligj, me një kërkesë, me një mision, me një qëllim, “E duam Shqipërinë sie gjithë Evropa”.” U shpreh kryedemokrati Basha.

Meta thirrje për qetësi: Evitoni dhunën dhe konfrontimet

Ora 19:45- Presidenti i Republikës, Ilir Meta iu ka bërë thirrje palëve për qetësi pas tensioneve në protestën e thirrur nga opozita. Në një mesazh të Presidencës thuhet se Kreu i Shtetit po ndjek me shqetësim situatën dhe kërkon të evitohet dhuna dhe konfrontimet.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkon të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve”, deklaron Presidenca.

Lleshaj: Me molotov s’ndërtohet demokracia, shkatërrohet Shqipëria

Ora 19:37- Ka reaguar përmes një postimi në facebook, ministri i brendshëm Sandër Lleshaj, për tensioneve në protestën e opozitës.
Me Molotov nuk ndërtohet demokracia, por synohet të shkatërrohet Shqipëria. Por kjo gjë është e pamundur! Ftoj qytetarët e përgjegjshëm të distancohen nga sulmi ndaj institucioneve. Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë përsëri! Shkruan Lleshaj në twitter.

Zjarr tek Kryeministria dhe Kryesia e Kuvendit

Ora 19:17- Situatë e rëndë në Bulevard, qytetarët e thirrur nga opozita kanë hedhur bidonë me lëndë djegëse duke i vënë flakën Kryesministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit. Policia nuk ka ndërhyrë, ndërkohë që i gjithë Bulevardi është mbuluar nga tymi.

Në ballkonet e Kryesisë janë hedhur lëndë djegëse dhe dy institucionet e rëndësishme shihen në flakë e tym të zi. Vazhdimisht drejt Kryeministrisë hidhen lëndë djegëse dhe dëgjohen lëndë plasëse. Me sa duket ka marrë zjarr tapeti tek Kryesia dhe policia ka ndërhyrë me fikëse.

Policia vë maskat kundër gazit lotsjellës

Ora 19:25- Policët e vendosur para Kryeministrisë kanë vendosur maskat e kundragazit. Me sa duket policia po bëhet gati t’u hedhë gaz lotsjellës protestuesve.

Policia thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë

Ora 19:20- Policia, nëpërmjet një punonjësi të Policisë të Patrullës së Përgjithshme iu bën thirrje në megafon protestuesve dhe organizatorëve të protestës së opozitës

“Te nderuar qytetarë, ruani qetësinë, ruani gjakftohtësinë.
Mos hidhni lëndë piroteknike, fishekzjarre, kapsolla dhe tymuese në drejtim të punonjësve të Policisë.
Hedhja e kapsollave dhe lëndëve piroteknike se  rrezikoni jetën e punonjësve të Policisë”.

Protestuesit hedhin bojë dhe tymuese drejt Kryeministrisë

Ora 19:10- Sërish bojë drejt Kryeministrisë. Protestuesit e thirrur nga opozita kanë hedhur bojë por edhe fishekzjarrë e tymese drejt Kryeministrisë. Me gjithë numrin e madh të efektivëve të policisë, qytetarët vijojnë të hedhin sende në drejtim të godinës qeveritare.

Pak minuta më parë edhe kreu i PD-së Lulzim Basha iu bashkua protestuesve që prisnin në oborrin e selisë së PD. Nga ana tjetër kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka lëvizur në drejtim të Bulevardit e shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të kësaj force dhe qindra qytetarë.

Basha
Basha

Salianji: Do jetë ndryshe, revolta qytetare shumë e madhe

Ora 18:51- Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji u shpreh në një lidhje për News24 se do të jenë qytetarët ata që do të vendosin se si dhe sa do protestohet. Salianji u shpreh se revolta e qytetarëve është shumë e madhe, ndërsa theksoi se janë qytetarët ata që kanë përgatitur supriza gjatë protestës së sotme.

Fishekzjarre e tymuese tek Kryeministria

Ora 18:48- Nis hedhja e fishekzjarrëve e tymuese tek Kryeministria. Ajo që vihet re është se edhe në ambientet e LSI-së edhe në PD ka një prani të madhe njerëzish. Nga podiumi i ngritur në Bulevard vijnë vazhdimisht thirrje për qytetarët të mos tremben nga policia apo të bashkohen.

Jelekportokallinjtë në PD, banorët e Unazës i bashkohen protestës

Ora 18:44- Banorë të Unazës së re i janë bashkuar protestës së opozitës së bashkuar. Në drejtim të tyre, është ish-deputeti Klevis Balliu , i cili vetëm pak ditë më parë u arrestua nga policia, pas përplasjeve në protestë mes banorëve e policisë, por u lirua me masën detyrim paraqitje nga gjykata.

Basha iu bashkohet qytetarëve

Ora 18:40- Kreu i PD-së Lulzim Basha iu është bashkuar qytetarëve në Bulevard. Me të janë edhe ish-deputetë e përfaqësues të tjerë të opozitës.

“Rama ik”, nis protesta e opozitës

Ora 18: 35– Me flamuj kuq e zi dhe pankarta kundër kryeministrit dhe qeverisë ka nisur protesta e opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Të gjitha rrethet janë përfaqësuar me nga një afishe gjigande në krye të qytetarëve. Aleanca per Mbrojtjen e Tetarit i bashkohet protestës. Edhe qytetarët po i bashkohen protestës me thirrjet “Rama ik”, “Mbro Teatrin”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” etj.

Nis tubimi i njerëzve, policia forcon radhët

Ora 18:15- Policia vendoset në gardh para Kryeministrisë. Dhjetëra forca policie janë rreshtuar para godinës së Kryeministrisë, ndërsa ka nisur tubimi i protestuesve. Para tyre ka edhe një gardh hekuri të vedosur për të ndalur protestuesit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Të paktën 1500 efektivë të policisë pritet të jenë të angazhuar sot në terren për mbarëvajtjen e protestës së opozitës. Përveç forcave të policisë godina e Kryeministrisë, nga ana tjetër është e rrethuar me gardh metalik, një masë e shtuar e policisë për të shuar çdo skenar të mundshëm që mund të kenë protestuesit. Gjithashtu efektivët e policisë do të jenë të pajisur me maska kundragaz.  Përveç forcave të policisë në dyert e godinës së Kryeministrisë,janë vendosur tela me gjemba, ndërsa parlamenti është rrethuar nga gardhi metalik.

Në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit” policia ka instaluar kamera me rezolucion të lartë për t filmuar cdo person të dhunshëm apo që cenon rendin publik. Turmat do të monitorohen nga godinat e larta,nga forcat RENEA dhe efektivët e gardës. Masa sigurie do të ketë edhe në institucione të tjera të pozicionuara në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit”. Në gadishmëri do të qëndrojnë dhe autobotet me ujë për të shpërndarë turmat si edhe shërbimi zjarrfikës dhe ai shëndetësor. Pasdite pritet që të ketë edhe kufizime trafiku në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët lidhëse me të.

Ora 17:38 Protesta/Blinda e forca policie, situata tek Kryeministria

Vetëm 60 minuta para nisjes së protestës së opozitës së bashkuar Tirana duket ende e qetë. Vetëm forcat e shumta të policisë, makinat e blinduara të tregojnë atë që pritet të ndodhë pas pak minutash në bulevardin kryesor të kryeqytetit. Gazetari Erjon Skëndaj ka bërë një vëzhgim rreth e qark kryeministrisë për të treguar atmosferën që mbizotëron.

Ora 15:29 Fierakët niset drejt Tiranës, Baçi: S’ka zgjedhje pa PD

Dhjetëra protestues nga Fieri janë nisur drejt kryeqytetit për të marrë pjesë në protestën e thirrur sot nga opozita. Kreu i PD-së së Fierit, ish-deputeti Luan Baçi deklaroi se nuk ka zgjedhje pa Partinë Demokratike duke i bërë thirrje policisë të mos intimidojë protestuesit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb