Kryeministri Edi Rama në konferencë për mediat foli edhe për faktin se Makron u ankua se nga Shqipëria ka shumë azilkërkues në Francë.

Rama tha se ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin portugez e se edhe Portugalia kishte emigrim të madh, pavarësisht faktit se Portugalia është një shtet që njeh rritje të madhe ekonomike.

Edi Rama: Dje pata një bisedë me kryeministrin portugez. Portugalia vitin e kaluar ka regjistruar ndër arritjet më të mëdha ekonomike vjet. 50 mijë vetë kanë ikur nga Portugalia, edhe pse rritja ekonomike ishte e lartë dhe Portugalia për vitet e fundit ka humbur 500 mijë forcë punëtore. Portugalia ka vendosur bonus kushdo që do të kthehet në Portugali.

Pse? Bota ka ndryshuar. Italia sot ka një problem real për mjek në spitale, sepse ikin shkojnë në Gjermani, në Britani etj. Vjet 100 mijë kroatë kanë ikur në Gjermani. Të gjithë këta çfarë ndryshimi kanë nga shqiptarët. Ndryshimi me shqiptarët është se janë anëtarë të BE dhe nuk kanë nevoje për azil. Shqiptarët kanë mbetur në Francë, sepse azili është më i vështirë se në Gjermani. Mendoj se këta njerëz nuk gjykohen dot. Shqiptarët, që kur vdiq Enver Hoxha kanë lëvizur. Problemi ynë që duke qenë jashtë tregut të përbashkët, detyrohemi të zgjedhim rrugën e azilit. Por, edhe Makron ka të drejtën e tij, bën më të mirën për vendin e vet. Të të thonë që bëj detyrat dhe pastaj të të thonë jo nuk hapen negociatat, është disi e pakuptimtë. Sot me këtë BE që është, gjysma e atyre që kanë hyrë nuk do hynin.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb