Pas 10-ditësh protestë dhe në gjendje të rënduar shëndetësore, 5 grevistët e grevës së urisë në Lumas vendosë sot të dalin nga greva e urisë. Ky vendim për daljen nga greva e urisë është ndërmarrë pas vendimit të publikuar dje nga IKMT Elbasan, e cila konstatoi shkeljet në burimin e Sinecit,të kryera nga firma Salillari.

Pas konstatimit nga IKMT Elbasan të shkeljeve: marrje pa leje administrative e ujit, mospajisje me autorizim, veprimtari që kryhen në kundërshtim të mbrojtjes së brigjeve dhe ndërtimin e objekteve për shfrytëzimin e burimeve, 5 grevistët e Lumasit vendosëm të ndërmarrin vendimin për përfundimin e grevës së tyre të urisë.

Në momentin e daljes nga greva e urisë,grevistët janë pritur jashtë godinës me eufori e duartrokitje nga familjarët dhe banorët e Lumasit. Grevistët kanë deklaruar se,e kanë ndërmarrë vendimin për të dalë nga greva e urisë pasi insitucionet reaguan.

“Pas vendimit të marrë nga IKMT Elbasan, e cila konstatoi shkeljet e bëra nga firma Salillari në kanionin e Sinecit, ne vendosën të dalim nga greva e urisë pasi firma Salillari u gjobit me 650 milion lekë dhe po pritet vendimi i kryeinspektoriatit të IKMT-së për prishjen e punimeve të kryera deri në tani në kanionin e Sinecit, zonë e mbrojtur e kategorisë së tretë”- kanë deklaruar grevistët.

Grevistët janë shprehur se edhe pse përfunduan grevën e urisë ata nuk do ta ndalin luftën e tyre për të mbrojtur të paprekur burimin natyror të Sinecit dhe për të çuar përpara përgjegjësisë ligjore dhe prapa hekurave Pëllumb Salillarin dhe kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Kujtojmë se banorët e Lumasit janë duke protestuar prej 4-muajsh në mbrojtje të ujit të burimit të Sinecit,duke kundërshtuar me forcë ndërtimin e ujësjellësit në këtë burim.Paralelisht me protestat në Sinec,prej 10-ditësh ishin futur në grevë urie edhe 5 banorë të Lumasit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb