TIRANË- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka dërguar sot një letër Kreut të Shtetit Bujar Nishani dhe ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, ku shpreh shqetësimin e tij për proceset gjyqësore dhe më konkretisht një vendim të gjyqtarit Laurent Fuçia në Vlorë.
Në letrën e tij, Tahiri thotë se gjyqtari ka dhënë një vendim shqetësues për shoqërinë duke favorizuar 3 persona që shkelën ligjin. Kjo sipas tij dekurajon edhe policinë.
Ministri thotë se gjyqtari i Vlorës liroi një person që u kap me armë në një lokal, duke shpërdoruar detyrën.
LETRA E PLOTE
“Po ju drejtohem në lidhje me një problem tepër shqetësues që rrezikon të dekurajojë policinë në luftën kundër krimit, duke privilegjuar shtetas që arrestohen duke mbajtur armë në publik dhe lirohen në sallën e gjyqit. Ky është ekzaktësisht një nga ato raste, ky çdo qytetar mund të dallojë sa të pabarabartë janë shkelësit e ligjit para gjykatës, pikërisht pse të ndërtosh pa leje një çati, edhe mbetesh në burg, por të kapesh me armë pa leje në publik edhe mund të mos mbetesh në burg”, – thuhet në letër.
Në një kohë kur kemi forcuar masat e kontrollit për të parandaluar ngjarjet kriminale, e po kështu kemi forcuar mekanizmat ndëshkues ndaj punonjësve të policisë për të respektuar ligjin, gjyqtarë të caktuar japin vendime kaq shqetësuese për shoqërinë, duke favorizuar ata që shkelin ligjin, e përsëri ndjehen të paprekshëm.
Më datë 23.02.2016 nga shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të policisë Vlorë, është ushtruar kontrolli në ambientet e lokalit “Eccobet” në lagjen Pavarësia të qytetit të Vlorës dhe ndaj personave që gjendeshin brenda.
Nga kontrolli fizik i personave, shtetasit Vasil Papa i është gjetur në brez dhe më pas bllokuar një armë zjarri pisrtoletë e markës TT, model 54 me numër serie 2836 bashkë me krëhërin me shtatë fishekë luftarakë. Në vijim të kontrollit është gjetur në afërsi të tavolinës ku qëndronin të ulur shtetasit Ergys Murati dhe Klevis Bega një pistoletë tjetër e markës “TT” model 54, bashkë me krëhërin me shtatë fishekë si dhe një krehër tjeter me fishekë.
Shtetasit e lartpërmendur u arrestuan në flagrancë nga policia dhe materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë. Mbi bazën e materialt referues prokuroria parashtroi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, kërkesat respektive për “Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë”, si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest me burg” për shtetasit Vasil Papa, Ergys Murati dhe Klajdi Bega sipas nenit 278/5 të Kodit Penal, për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, dhe konkretisht gjyqtar Laurent Fuçia ka marrë në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen e referuar nga Prokuroria në ngarkim të shtetasit Vasil Papa, në datën 27.02.2014, ku ka vendosur pjesërisht pranimin e kërkesës; ka vlerësuar të paligjshëm arrestimin e këtij shtetasi, si dhe ka caktuar masën e sigurimit personal “detyrim për tu paraqitur në policinë Gjyqësore”. Po kështu, në të njetin vendim është urdhëruar edhe lirimi i menjëhershëm i shtetasit Vasil Papa?!
Shfaqet qartë se gjyqtari në fjalë nuk e konsideron rrezikshmërinë e veprës penale, të pasojave që mund të rrjedhin prej konstatimit të kësaj vepre si dhe nënvlerëson rrezikshmërinë e personit në dritën e fakteve të parashtruara në dosjen hetimore, duke zbutur në mënyrë flagrante masën e sigurimit personal ndaj shtetasit Vasil Papa, në kundërshtim me pikën 3, gërmat “b” dhe “c” të nenit 228 i Kodit të Procedurës Penale.
Nisur nga sa më sipër, ekzistojnë dyshime, besoj të bazuara, se nga ana e gjyqtarit Laurent Fuçia janë kryer veprime jokorrekte në shpërdorim të detyrës së gjyqtarit dhe besimit me të cilin kjo detyrë vishet, duke favorizuar personat nën hetim, të cilët kanë përfituar padrejtësisht lirim të menjëhershëm.
Lutem vlerësimin e rastit nga ana juaj për kompetencë, pasi veprimi i gjyqtarit Laurent Fuçia ka indinjuar me të drejtë drejtuesit e punonjësit e Drejtorisë së Policisë Vendore Vlorë, të cilët ndjehen të dekurajuar në kryerjen e detyrës, e akoma më shumë qytetarët që ndjehëen të kërcënuar nga gjyqtarë që marrin vendime haptazi në favor të shkelësve të ligjit”.
REAGON MANJANI: DO NISIM INSPEKTIM NË GJYKATËN E VLORËS
Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani në përgjigje të shqetësimeve të bërë prezente nga ana e ministrit të Brendshëm, z. Saimir Tahiri ka urdhëruar verifikimin e veprimtarisë gjyqësore të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Vlorë, Laurent Fuçia.
“Gjejmë rastin të informojmë se Ministria e Drejtësisë administron të dhëna nga shumë agjenci ligjzbatuese si dhe nga qytetarë të Vlorës mbi sjellje jo profesionale në gjykatën e Vlorës. Përveç verifikimit të rastit të ngritur nga ministri Tahiri, do të nxisim së bashku me inspektoratin e KLD një inspektim të përgjithshëm në këtë gjykatë. Qëllimi është vendosja e saj në rrugën e paanësisë dhe të ligjit”.
KREU I GJYKATËS SË VLORËS: MINISTRI U NXITUA, GJYKATA NËN PRESION
Pas letrës së ministrit Tahiri reagon edhe Kreu i gjykatës së Vlorës. Skënder Haluci e quan të nxituar deklaratën e ministrit dhe thotë se gjykata ndodhet nën presion.
“Gjykata është nën presion nga të gjitha anët, që nga kriminelët e deri te policia. Gjyqtari i akuzuar është një prej më të mirëve. Gjykata e Vlorës mirëpret çdo lloj kontrolli, le të verifikohen të gjitha dosjet”,- thotë ai.
Më tej kreu i Gjykatës së Vlorës shton se: “Gjykimi për çështje të caktuara bëhet në shkallë të tjera, pasi Gjykata e Shkallës së Parë nuk merr vendim përfundimtar”.
(ma.ar/BalkanWeb)
