Është botuar në shqip “Matrikulli i Shkollës së Arbërve”, një material i rrallë që tregon jetën e arbërve në Venedik në shekujt 15-18. Zbulimi i studiueses Luçia Nadin, hedh dritë mbi statutin me të cilin në qytetin e Venedikut u vetorganizua bashkësia arbërore, në vitet ’40 të shek. XV, emrat dhe zanatet e tyre dhe vetë struktura e shkollës, që nuk ka kuptimin e strukturës arsimore por atë të një shoqërie a shoqate.

LUÇIA NADIN:E themeluar zyrtarisht me 1448, por që në vitin 1442, komuniteti shqiptar është në strukturën sociale e asistenciale në Venecia. Kjo është shumë e rëndësishme. Këto shkolla ishin në një farë mënyre, një kontroll i religjionit, Shteti sigurohej për shpëtimin e vendit dhe të Krishtërimit. Kishin detyrim për ceremonitë publik, të kujdeseshin për të sëmurët dhe të merrnin pjesë në ceremonitë mortore.

Me interes te veçantë është fakti që shoqata mund të drejtohej edhe nga një grua.

LUÇIA NADIN:Të gjesh figurën e gruas si Gastalde-drejtuese, është epokale për atë moment. Nuk mund të mos kujtoj rolin qendror të gruas në shoqërinë shqiptare e në Shkodër, nëse marrim parasysh Statutet e Shkodrës.

Materiali i rrallë, flet për hapjen e botës arbërore kundrejt femrës, dëshmon për një vëmendje të posaçme kushtuar muzikës, për ndjeshmëri ndaj artit; pasqyron shijet dhe atmosferën e vendit të zanafillës, rregullimin e jetës së arbërve, shkollën si bankë, e rolin e meshtarit po ashtu.

ARDIAN NDRECA: Pasqyron një histori 300-vjeçare të shoqatës së Arbërve në Venedik. Janë tre shekuj që tregojnë se ç’aktivitet kanë kryer Arbrit në Venedik. Ishte një shoqatë, por mbi të gjitha ishte shenjë e një organizimi të brendshëm. Shqiptarët në atë kohë nuk ishin në gjendje të organizoheshin, madje e kishin të vështirë deri në shekullin e 20. Është një fazë një segment i integrimit të shqiptarëve në Europë, jo në vendin e tyre.

Matrikulli i botuar nga “Berk”, si në një afresk, na shpalos imazhin e Shqipërisë në Venedik në jetën e përditshme të historisë shekullore, ku jeta punonjëse dhe shoqërore bëhej bashkë me venedikasit, prandaj shqiptarët në Venedik sipas Luçia Nadin, nuk u quajtën «të huaj» por «kushërinj adriatikas». Matrikulli është pjesë e kolanës “Radhonjtë e Shejzave” nën kujdesin e Ardian Ndrecës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb