Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka deklaruar se protesta mbetet e vetmja formë veprimi për opozitën përballë qeverisë së Edi Rama.
I ftuar në News24, Paloka theksoi se opozita nuk ka alternativa të tjera përveç protestave për të arritur objektivat e saj politike, duke shtuar se forma dhe intensiteti i tyre do të përcaktohen në vijim.
“Protesta është lëvizja e vetme e opozitës. Me Ramën nuk ka mënyrë tjetër veç protestës,” u shpreh ai.
Sipas Palokës, mbetet për t’u parë nëse protestat do të arrijnë shpejt qëllimin e tyre dhe nëse do të ketë një zgjerim apo përshkallëzim të aksionit opozitar, duke theksuar se këto janë çështje taktike që do të vendosen në varësi të situatës politike.
Ai nënvizoi se kërkesa kryesore e opozitës mbetet garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke e lidhur këtë me krijimin e një qeverie teknike.
“Qëllimi ynë është përgatitja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si kusht kryesor, si dhe krijimi i një qeverie teknike,” deklaroi Paloka.
Në përfundim, ai akuzoi kryeministrin Rama se nuk ka vullnet për të zhvilluar zgjedhje të rregullta në vend, duke theksuar se për këtë arsye opozita do të vijojë me protestat si mjet presioni politik.
