Kreu i grupit të këshilltarëve në Durrës, Dritan Burgija, së bashku me anëtarin Arlind Boshku, kanë mbërritur në selinë e Partisë Demokratike, duke kërkuar një ballafaqim me kryetarin Sali Berisha.
Demokratët kundërshtojnë vendimin për përjashtimin e tyre, të cilin e cilësojnë të padrejtë dhe në kundërshtim me Statutin e partisë.
Burgija mohoi kategorikisht pretendimet për bashkëpunim me Partia Socialiste e Shqipërisë, duke i quajtur ato “gënjeshtra të mëdha”.
“Duam shpjegime për përjashtimin tim dhe Arlind Boshkut, kolegut tim. Isha edhe në 2021 para jush për të njejtën gjë pasi në atë kohë dilja dhe kërkoja dinjitetin e zotit Berisha pasi u përjashtua nga lidershipi i asaj kohe. Sot kërkoj dinjitetin tim. Nuk është çështje pozicionesh po dinjiteti. Çdo rresht i vendimit është anti statutor. Ka kërkuar ballafaqim me lidershipin këtu dhe fakte e prova që çuan në shkarkimin tim. Theksoj duam një ballafaqim me zotin Berisha, janë akuza shumë të rënda për mua dhe kolegun tim. Nuk kemi bashkëpunuar me PS, është gënjeshtër shumë e madhe. Parkimi është pronë private dhe unë jam pjesëtar. Shumë mirë që më pyetet, se ka qarkulluar nën zë kjo gjëja. Unë do ju vë në dispozicion certifikatën e pronësisë që unë jam pronar. Nëse është ky shkaku kanë gabuar rëndë.”, tha Burgija.
