Ministri Besfort Lamallari i është përgjigjur opozitës e cila ka kërkuar që në Kuvend të jetë i pranishëm kryeministri Edi Rama në lidhje me një sulm të mundshëm nga Irani, pas postimit të djeshëm nga Ambasada Amerikane.

Ai u shpreh se është komunikuar me Ambasadën dhe postimi ka qenë në vazhdën e një sërë postimesh në shumë vende dhe nuk ka asnjë informacion konkret se vendi ynë mund të jetë shënjestër e sulmeve nga Teherani.

“Dua të sjell në vëmendje dhe të ndaj disa informacione me qytetarët. Fakti i parë, jo më larg se mbrëmjen e djeshme, u kam kërkuar strukturave të Policisë, konkretisht strukturave të Antiterrorit, të Departamentit të Sigurisë Publike dhe Policisë Kriminale, të jenë në komunikim me zyrën e Sigurisë së Ambasadës Amerikane, nga të cilat me përgjegjësi të plotë konfirmoj se është komunikuar, e nuk ka asnjë informacion konkret, qoftë edhe inteligjencë, për një situatë rreziku real.

Së dyti, kjo është në vazhdën e të gjitha postimeve, deklaratave që bëhen standard në të gjitha vendet e botës ku ka shqetësime të ndryshme. Shqipëria dhe Policia e Shtetit prej disa kohësh kanë marrë masa të shtuara sigurie, jo lidhur me postimin e djeshëm, por prej disa kohësh, dhe kjo bazuar në zhvillimet ndërkombëtare që ndodhin. Konkretisht me konfliktin e armatosur dhe luftën në Lindjen e Mesme, ku sigurisht janë të angazhuara maksimalisht Policia e Shtetit, strukturat e Antiterrorit, Policisë Kriminale, FNSH-së dhe sigurisë publike, duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me të paktën dy ambasada në vend.
Pra, ky është një fakt që nuk ka lidhje me postimin e djeshëm, ka nisur kohë më parë dhe ka një vlerësim nga Policia e Shtetit lidhur me rreziqet e mundshme të terrorizmit apo elementëve të tjerë kriminalë. Ka edhe një plan veprimi, i cili bën bashkë me detyra specifike çdo strukturë përgjegjëse në Policinë e Shtetit.
Fakt është që Shqipëria mbetet një vend i sigurt për qytetarët shqiptarë dhe për të gjithë ata që vizitojnë Shqipërinë. Përtej postimeve që ju i lexoni, për fat të keq, vetëm kur vijnë nga Irani apo që lidhen me Iranin, por jo për protestat e dhunshme me molotov.

Shumë faleminderit dhe qytetarëve shqiptarë, kjo është përgjigjja që kam për ta”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb