Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit të luftës në Iran dhe pasojat e mundshme gjeopolitike.
Sipas Demirajt, Perëndimi e pranon tashmë se Iran ka kapacitetin për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, një zhvillim që mund të ndryshojë rrënjësisht balancat ndërkombëtare. Ai theksoi se pas konfliktit pritet një Iran ndryshe, me kushte të reja dhe me një qasje më agresive në raport me trafikun detar, përfshirë vendosjen e tarifave të larta për kalimin e anijeve.
Demiraj u shpreh se një skenar i tillë nuk ishte imagjinuar më parë, duke shtuar se edhe figura si Ali Khamenei nuk do të kishin guxuar të ndërmerrnin hapa të tillë. Sipas tij, sot kemi një Iran të ndikuar fort nga Garda Revolucionare, që ka treguar se nuk mposhtet lehtë, pavarësisht sulmeve ajrore.
Ai theksoi gjithashtu se situata ka kapur të papërgatitura si SHBA ashtu edhe vendet e BE, të cilat nuk e kishin parashikuar një zhvillim të tillë. Demiraj iu referua edhe deklaratave të Dmitry Medvedev, sipas të cilit Irani disponon një “kartë më të fortë se arma atomike”.
Në përfundim, ai nënvizoi se rajoni ndodhet në një fazë të re, ku militarizimi i Ngushticës së Hormuzit përbën një rrezik serioz, pasi çdo mjet detar apo nëndetar brenda një rrezeje të caktuar mund të jetë objektiv, duke e bërë kalimin në këtë zonë jashtëzakonisht të rrezikshëm.
