Politologu nga Forumi për Dialog Politik, Ermal Hasimja, ka zbuluar detaje mbi marrëveshjen e arritur mes Partisë Demokratike, Shqipëria Bëhet dhe LZHK lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

I ftuar në emisionin Studio24, Hasimja tha se forumi ka ftuar të gjitha partitë për të marrë pjesë në proces, ndërsa secila prej tyre ka paraqitur propozimet përkatëse.

Sipas tij, Forumi për Dialog Politik ka hartuar një propozim të vetin, ndërsa LZHK ka paraqitur dy variante për Kodin Zgjedhor dhe “Shqipëria Bëhet” ka dorëzuar një propozim të detajuar me ndryshime konkrete ligjore. Të gjitha këto propozime janë përcjellë tek Partia Demokratike, e cila ka dhënë dakordësinë në parim.

Hasimja theksoi se edhe Sali Berisha i ka konfirmuar personalisht se PD është dakord me këtë marrëveshje, ndërsa një detaj i vogël që mbetej pezull është zgjidhur më pas mes palëve.

Megjithatë, ai bëri me dije se dy parti, Mundësia dhe Lëvizja Bashkë, kanë mbetur jashtë këtij procesi, pasi nuk iu janë përgjigjur ftesës dhe nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për mungesën e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb