I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ish-ministri i Drejtësisë Enkeleid Alibeaj foli për reformën në drejtësi dhe punën e SPAK.
Gjatë intervistës, ai theksoi se ka shumë çështje që kanë dhënë rezultate, por megjithatë ka ende nevojë për shumë punë.
Alibeaj më tej nënvizoi se qeveria pengoi drejtësinë duke rrëzuar kërkesën për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
“Të duket sikur ka një ndeshje midis drejtësisë dhe politikës. Në fakt, nuk ka se si të ketë ndeshje midis drejtësisë dhe politikës. Drejtësia bën punën e vet, heton, mbledh prova. Kur është rasti, merr dhe masa sigurimi: arrest shtëpie, arrest në burg, detyrim paraqitje. Përgatit dosjen, e çon në gjykatë e me radhë. Kjo është puna që bën SPAK-u, GJKKO-ja, drejtësia në përgjithësi. Impakti publik dhe politik vjen për faktin se të pandehurit, siç edhe në Kushtetutë parashikohet, janë politikanë. Dhe sa mirë që ka ende një impakt të tillë në publikun shqiptar. Pra, për shqiptarët duket që është një njollë e madhe, jo vetëm turpi, të jesh i proceduar nga drejtësia për politikanët, për deputetë, për ministra, për kryeministra, ish-kryeministra e me radhë. Janë këta politikanë, këta të cilët janë duke e stisur këtë gjasmë betejë midis drejtësisë dhe politikës, drejtësisë dhe qeverisë, drejtësisë dhe Kuvendit.
Në fakt, po bëjnë punën e tyre. Ata që s’po bëjnë punën e tyre, është pikërisht kjo pjesa e politikës. Të mos heqësh imunitetin e një ministri dhe për këtë të përdorësh parlamentin, nuk është gjë tjetër veçse është të pengosh drejtësinë, siç ndodhi në rastin Balluku. Të ndërmarrësh iniciativa ligjore për të ndryshuar kodin e procedurës për pezullimin nga detyra, siç e ka bërë Rama, Balla dhe Manja, dhe kanë depozituar një iniciativë ligjore, është të futesh në territorin e drejtësisë. Ndaj, unë nuk e shoh fare që drejtësia të jetë futur në territore të huaja, që s’i përkasin. E anasjellta ka ndodhur”, u shpreh ai.
