Analisti dhe moderatori i emisionit “Oponencë”, Shpend Gashi, ka komentuar situatën e brendshme në Partinë Demokratike, pas përfundimit të protestës së opozitës në shesh.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Gashi u shpreh se, sipas tij, partia aktualisht nuk funksionon si një strukturë e hapur demokratike, por është e lidhur ngushtë me liderin e saj historik.
“Ajo vërtet është logoja PD, por është partia e doktorit, jo Partia Demokratike,” deklaroi ai, duke iu referuar Sali Berishës.
Sipas Gashit, në parti duhet të hapet gara dhe të krijohen mundësi reale për konkurrencë të brendshme, ndërsa ai përmendi edhe fenomenin që e cilësoi si “berishizëm” brenda strukturave të PD-së.
“Kur flasim për Berishën, flasim për berishizmin brenda partisë,” tha ai.
Analisti shtoi se një pjesë e figurave brenda Partisë Demokratike, sipas tij, kontribuojnë në qëndrimin e Berishës në krye të saj, duke theksuar se kjo është reflektuar edhe në zhvillimet e brendshme ndër vite.
