Emisioni investigativ Tak Fak ka ndjekur më tej historinë e Andon Metës, i cili prej vitesh endet dyerve të institucioneve shtetërore në kërkim të përgjigjeve për pronën e familjes së tij në Kurbin.

Së bashku me gazetarin e emisionit, Andon Meta iu drejtua institucioneve ku prej kohësh kishte depozituar ankesa dhe kërkesa për informacion, duke pretenduar se shpesh është përballur me heshtje institucionale dhe mungesë reagimi.

Sipas rrëfimit të tij, në disa raste ai ka organizuar edhe protesta personale dhe qëndrime disa ditore para institucioneve, deri në marrjen e përgjigjeve që, sipas tij, i takojnë me ligj.

Fillimisht, “Tak Fak” shkoi në Bashkinë Kurbin, institucion që Andon Meta e akuzon për shkelje të rënda në lidhje me pronën e familjes së tij. Ai ka ngritur akuza direkte edhe ndaj kryebashkiakes Majlinda Cara.

Më pas, emisioni iu drejtua edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokatit të Popullit dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes së Mjedisit për të kërkuar informacion mbi çështjen.

Pas insistimit të gazetarëve dhe qytetarit, disa prej institucioneve kanë kthyer përgjigje zyrtare për problematikat e ngritura.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes së Mjedisit ka deklaruar se nuk ka më kompetencë për çështjen dhe se dosja i është kaluar Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për ndjekje të mëtejshme.

Ndërkohë, Avokati i Popullit ka sugjeruar që të bëhet një kërkesë pranë Kontrollit të Lartë i Shtetit për një përgjigje më të plotë mbi të gjitha pretendimet e qytetarit, përfshirë edhe çështjen e një ndërtimi pa leje që, sipas Metës, është realizuar nga bashkia mbi një tokë në masë sekuestroje.

Ndërsa në sektorin e Bujqësisë në Bashkinë Kurbin, aty ku Andon Meta pati debate të ashpra me zyrtarët, përgjigjja e vetme ishte se çështja ndodhet aktualisht në gjykatë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb