Egnatia ka nisur të lëvizë seriozisht në merkaton e verës, teksa drejtuesit e klubit po punojnë për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese për sfidat europiane.
Pas interesimit për emra të ndryshëm në treg, kampionët e Shqipërisë duket se kanë kthyer vëmendjen nga Vllaznia, ku synojnë të afrojnë disa prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës shkodrane.
Për momentin, në fokusin e rrogozhinasve janë dy lojtarë që kanë spikatur gjatë sezonit të fundit dhe që mund të përfundojnë në Rrogozhinë gjatë javëve të ardhshme. Bëhet fjalë për mbrojtësin Andrei Jago dhe mesfushorin Esat Mala.
JAGO – Situata e Andrei Jago te Vllaznia ka ndryshuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit. Problemet me trajnerin Edi Martini kanë çuar në ndarjen mes palëve, me futbollistin që tashmë është lojtar i lirë dhe po shqyrton alternativat për të ardhmen. Burime pranë klubit bëjnë me dije se ditën e djeshme është zhvilluar një takim mes drejtuesve të Egnatias dhe përfaqësuesve të lojtarit.
Megjithatë, negociatat nuk kanë prodhuar ende një marrëveshje, pasi kërkesat financiare të mbrojtësit konsiderohen të larta nga kampionët. Pavarësisht kësaj, interesimi mbetet konkret. Jago vjen pas një sezoni të rëndësishëm me fanellën kuqeblu, ku regjistroi 37 ndeshje dhe 2775 minuta në fushë, duke konfirmuar statusin e një prej futbollistëve më të qëndrueshëm të ekipit.
MALA – Një tjetër emër që po ndiqet me interes nga drejtuesit e Egnatias është ai i Esat Malës. Mesfushori është një profil që pëlqehet prej kohësh në Rrogozhinë dhe klubi ka nisur të monitorojë nga afër situatën e tij për të kuptuar mundësitë e një transferimi. Mala ka zhvilluar një sezon të rregullt me Vllazninë, duke qenë një nga lojtarët më të aktivizuar të skuadrës. Ai ka luajtur 36 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke grumbulluar plot 2820 minuta në fushën e lojës. Eksperienca, dinamizmi dhe aftësia për të mbuluar disa role në mesfushë janë cilësi që e bëjnë Malën një objektiv tërheqës për kampionët e Shqipërisë.
MERKATO RIVALËSH – Duket se Egnatia është e vendosur të përfitojë nga situatat e krijuara te Vllaznia dhe të afrojë futbollistë që mund të rrisin nivelin e skuadrës përpara ndeshjeve europiane. Andrei Jago dhe Esat Mala janë aktualisht dy emrat më të përfolur, ndërsa nuk përjashtohet që lista e objektivave nga kampi shkodran të zgjerohet në ditët në vijim. Tashmë mbetet për t’u parë nëse bisedimet do të konkretizohen me marrëveshje, por sinjalet e para tregojnë se Egnatia ka hyrë fuqishëm në merkato dhe është gati të investojë për të ndërtuar një ekip që synon të bëjë histori edhe në arenën europiane.
