Nga: JETON SELIMI*
Partizani prezantoi mesditën e djeshme blerjen e tij më të fundit, sulmuesin Sebino Plaku, që rikthehet të veshë fanellën e kuqe pas 11 vitesh. Asokohe, Sebino 19-vjeçar, debutonte me Partizanin falë edhe hapësirës që i dha Ilir Spahiu, ish-trajneri i tij, të cilin Plaku e ndoqi edhe tek Apolonia, klub në të cilin shpërtheu në Kategorinë Superiore. Fjalën fillimisht e mori Gazmend Demi, presidenti i Partizanit, që shikon tek Sebino sulmuesin e duhur për ekipin e tij. “Rikthyem një ish-futbollistin tonë dhe sigurisht që është fat për të dyja palët, si për Sebinon, si për ky bashkëpunim. Një futbollist me shumë vlera që do i bëjë punë Partizanit për vetë objektivat që ka ky klub”, do të deklaronte presidenti Gazmend Demi, pas nënshkrimit të kontratës. Vetë Plaku u shpreh i emocionuar për këtë rikthim në shtëpi, ndërsa kërkon që ta shpërblejë në fushën e blertë besimin e tifozëve, të cilët u shfaqën shumë entuziastë për përforcimin e parë të sezonit të ri futbollistik. “Jam i kënaqur që jam tashmë pjesë e këtij klubi të madh, që unë e njoh mjaft mirë. Për mua është një rikthim, ku shpresoj me dëshirën më të madhe të jem pjesë e historisë me këtë fanelë. Do jap maksimumin tim. Dua t’i falenderoj të gjithë për mikpritjen dhe sigurisht presidentin Demi, i cili së bashku me profesor Starovën kanë besim te mua. Dua gjithashtu të falënderoj tifozët, nga të cilët kam marrë vetëm mbështetje dhe urime për këtë rikthim timin”, do të deklaronte Plaku, që u shfaq i emocionuar përballë mediave dhe tifozëve të pranishëm në ambientet e sallës së konferencës për shtyp në zyrat e klubit të kuq.
Nuk mund të mungonte as trajneri Sulejman Starova, që bashkë me detyrën e drejtorit të përgjithshëm, por edhe të menaxherit të klubit, është padyshim personi me pozitë më të fortë në klub pas presidentit Demi, duke qenë se kryen njëkohësisht 3 detyra… Në fjalën e tij, Starova theksoi edhe njëherë se shumë shpejt, Partizani do të jetë me një kompleks të ri. “Është kënaqësi që pranë nesh kemi një futbollist me mjaft eksperiencë. Ambicia e klubit është per përforcime të mëtejshme për të arritur objektivin që ky klub e ka të përhershëm, fitimin e Kupës dhe titullin kampion. Plaku është përforcim i vlefshëm dhe eksperienca e tij do na ndihmojë edhe në pjesëmarrjen tonë në kupat e Europës. Është bërë dhe po bëhet një investim serioz për ngritjen dhe rikthimin e Partizanit, duke filluar nga “shtëpia” e re që do ketë dhe me bindje ju them që do jetë model për Ballkanin”, do të deklaronte tekniku Starova.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: