Nga: FATMIRA NIKOLLI*TIRANE-Ndërsa Ministria e Kulturës pritet të kalojë në mbledhjen e radhës në Këshillin Kombëtar të Restaurimit, çështjen e kthimit të hotel “Dajtit” në zyra për Bankën e Shqipërisë, shtohen zërat kundër tjetërsimit të funksionit të godinës. Prof. Aleksandër Meksi (ish-kryeministër i vendit), është një ndër ata zëra që e kundërshton fort. Pyetjes së “Gazeta Shqiptare” nëse hotel “Dajti” duhet kthyer në zyra për “BSH”, ai i përgjigjet: “Duke qenë se jam i fushës së arkitekturës dhe i fushës së monumenteve nuk më shkonte ndërmend kurrë që një godinë të bërë për hotel, ta kthejmë në zyrë. E kjo, në një kohë që për zyra mund të gjesh sa të duash mundësi të tjera për të ndërtuar. Ai është një hotel”. Sipas tij, “për ne që kemi lindur dhe jemi rritur në Tiranë, ai është gjithnjë hotel ‘Dajti’, qendër referimi e Tiranës, siç është xhamia, siç ishte Pazari i Vjetër, siç është stadiumi apo universiteti. Këto pra janë qendra që lidhen me kujtesën historike të qytetit të Tiranës. Çdo gjë tjetër është absurditet dhe fjalë e tepërt”.

Duket se shoqëria civile dhe njohësit e trashëgimisë do ta kundërshtojnë me forcë tjetërsimin e hotelit në zyra banke, anipse, Banka e Shqipërisë (institucion shtetëror), e ka blerë atë nga shteti shqiptar në vlerën e 30 milionë eurove. ‘Çudia’ e parë është që shteti i blen shtetit dhe ‘çudia’ e dytë është shifra 30 milionë euroshe. Tani që projekti restaurues i arkitektit italian Marko Petreski (restaurimi shkon 14 milionë euro), ka shkuar në Ministrinë e Kulturës, e aty pritet kundërshtimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Restaurimit.

PROJEKTI
E mbasi kundërshton projektin e paraqitur nga Banka e Shqipërisë për përshtatjen e hotelit të ndërtuar në vitet 1930 në zyra, Meksi kujton një projekt të hershëm për mbajtjen në jetë të kësaj godine, që është monument kulture i kategorisë së dytë. “Qeveria e krijuar në vitin 1996 ngarkoi sekretarin e shtetit për turizmin, Robert Çejkun, që të paraqiste planin e privatizimit të të gjitha hoteleve turistike, që ishin pronë shtetërore. Me sa mbaj mend unë, ideja për hotel ‘Dajtin’ ishte që të privatizohej”, thotë Meksi. Ai sqaron se ai që e privatizonte, duhet të kishte para edhe për ta rikonstruktuar, edhe për të zgjeruar pjesën e mbrapme dhe do të kthehej le të themi në një qendër konferencash.

Veçse ideja dukej se synonte jo vetëm mostjetërsimin e funksionit të godinës, por edhe mirëmbajtjen e funksionimin e tij në vijim, siç kishte qenë përgjatë dekadave. “Ideja ishte që 80% do të privatizohej nga privati, ndërsa 20% do t’i mbetej shtetit, pra Shërbimeve Qeveritare në mënyrë që delegacionet e huaja që vinin për llogari të Shqipërisë, të rendit të dytë po themi, të mos dërgoheshin nëpër hotelet e tjera, por të dërgoheshin te hotel ‘Dajti’. Pra, 20% e aksioneve që mbante Drejtoria e Shërbimeve qeveritare, nuk do t’i merrte kurrë të ardhura, por do t’i mbetej një kapital aty, për të shlyer këto detyrime të sajat, meqë nuk kishte vila më si dikur, pra nuk kishte më vila rezidenca qeveritare. Ky ishte plani ynë për të dhe për mendimin tim duhet kthyer në hotel”, nënvizon Meksi për “GSH”.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: