Arqipeshkëvi i Shkodrës Angelo Massafra ka bërë një deklaratë të fortë gjatë meshës për ditën e larit në katedralen “Shën Shtjefni”, ku tha se shumë katolikë në Shqipëri janë në burgje për shkak të përfshirjes së tyre në trafikun e drogës dhe kjo është e papranueshme.

Arqipeshkëvi Massafra përmendi edhe rastet e vetëvrasjeve, të cilat po kthehen në një shqetësim për shkak të numrit të lartë. Shpesh herë këto fatkeqësi, shtoi Massafra ndodhin nga pesha e opinionit tek individi.
Ndërkohë Arqipeshkëvi i Shkodrës një ditë më parë mbushi 75-vjetorin e lindjes duke dhënë kështu dorëheqjen në krye të kësaj dioqeze për shkak të moshës së pensionit.

Gjatë një koncerti në katedrale dha lajmin e dorëheqjes. Vatikani ka pranuar dorëheqjen e Arqipeshkëvit, i cili sipas një dekreti të ardhur nga selia e shenjtë dhe të firmosur nga Nunci Apostolik në Shqipëri Luigi Bonazzi do të vijojë të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e Arqipeshkëvit të ri të Shkodrës. Angelo Massafra prej 27 vitesh drejton dioqezën Shkodër-Pult duke kaluar kështu një rrugëtim të gjatë mes shumë vështirësive në gjithë këto vite të trazuara për vendin tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb