Banorë të rrugës “Suka e Kunorës” në qytetin e Shkodrës bllokuan punimet e rikonstruksionit të këtij aksi rrugor që Bashkia Shkodër nisi ditët e fundit. Banorët protestuan duke thënë se përpara se rruga të shtrohet me asfalt duhet që të vendosen kanalizimet të cilat mungojnë dhe janë një problem i madh për ta.

Në mbështetje të banorëve që protestuan ishte edhe anëtarja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës Eliona Shkreli.

Përfaqësuesja e opozitës tha se në një peticion që banorët kanë dorëzuar që në tetor të vitit 2023, kanë kërkuar që rruga e tyre të shtrohet me gjitha parametrat ndërsa akuzoi bashkinë se po bën veç propagandë me rikonstruksionin e rrugëve.

Banorët që jetojnë tek rruga “Suka e Kunorës” por edhe në zona të tjera të lagjes “Mark Lula” në periferi të Shkodrës kanë ardhur në 30 vitet e fundit nga zonat e thella malore. Edhe pse kanë kaluar tri dekada disa akse rrugore nuk janë të asfaltuara ndërsa mungojnë edhe kanalizimet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: