Nga: FATMIRA NIKOLLI*

TIRANE – Shkartisja e së qenës me të paqenën brenda çdonjërës prej dosjeve ka pasur po atë pushtet, mbi fatet dhe jetët e atyre që kishin ose mund të kishin pasoja prej dosjeve, sikurse ai i shkartisjes së ngjarjeve nga dora e Zotit. Kush ishte Zoti dhe anën e kujt mbante? (Bashkim Shehu “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve” 2015).
Një libër i ri, i një autori të njohur, për një çështje komplekse.
“Dosjet. Janë dyfarësh. Të parat janë dosjet e atyre që e kanë pësuar, ose që rrezikonin ta pësonin. Të dytat janë dosjet e atyre prej të cilëve e pësuan ose rrezikonin ta pësonin njerëzit e dosjeve të para. Këto të dytat, që quhen edhe antidosje, janë dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit (1944-1991). Përmbajtja e dosjeve nuk njihet, është mister, që mund të zgjidhet vetëm duke u njohur përmbajtja e të gjithave njëherësh, në të njëjtin çast dhe si të ishte një dosje e vetme…”
Pohimi i mësipërm, shkëputur nga romani më i ri i Bashkim Shehut “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”, një libër që i kushtohet asaj që në fakt është kthyer në çështje dite në vendin tonë: hapjes së dosjeve. Ironia, sarkazma, tallja, e pastaj ironia therëse ndaj disa politikave, shpërfaqen në roman. Diku, edhe pse është roman, ai shënon duke pyetur: Njohja e brendisë së dosjeve, ose siç quhet, hapja e dosjeve, mendohet si akt që do ta shkëpusë Shqipërinë një herë e mirë nga një kaluar e errët, njëlloj sikur kjo e kaluar të mos kishte qenë? Megjithëse romani rreket të tregojë se në ato dosje mund të mos ketë shumëçka ne presim, i shkruar në formë fjalori, lexuesit i paraqitet një galeri personazhesh e situatash: një ish-punonjës i çmendur i Arkivit sekret, i fiksuar pas punës së tij (që më herët kishte qenë drejtues i një ekipi zhgroposjesh dhe rigroposjesh të tilla, që nuk e dinin dhe nuk duhej ta dinin ku kishte qenë më parë kufoma që zhgroposnin), një gazetar investigativ që rrëmon gjithandej, por bëhet i pabesueshëm, një sozi e Enver Hoxhës që jeton diku pranë Tiranës dhe pasardhësi i Enver Hoxhës, një projekt për ndërtimin e një Blloku të nëndheshëm si ai i mbidheshmi, një biznesmen i çuditshëm nga Moska që vjen në Shqipëri për të kërkuar një baba të panjohur që nuk ka emër, një linjë ndërkombëtare korrupsioni që nuk dihet ku e ka fillin, dy krime seksuale identike dhe të njëkohshme që lidhen me të njëjtin personazh e që shoqërojnë zhurmën për këtë linjë korrupsioni, një teori konspirative për një zyrë të fshehtë, reale ose imagjinare, për të cilën thuhet se lëviz çdo fije të ngjarjeve në Shqipëri. Zyra, që duket se është krijuar pas rënies së regjimit, kontrollon gjithçka në shoqërinë e lirë dhe plot kaos, a siç thuhet në roman “Thuhet se kjo zyrë drejton gjithçka që ndodh në Shqipëri. Ka tipare të përbashkëta me urdhrat e fshehtë fetarë dhe kalorësiakë të Mesjetës…”.
Rrëfime nga Arkivat Sekrete, dosje të lëvizura, pushkatime të mistershme, varrosje e zhvarrosje sekrete, në net të errëta e pa dëshmitarë, një dosje që humb duke e çuar përgjegjësin në një spital psikiatrik ndërthuren me motive mitologjike nga më të ndryshmet, lidhen me njëra-tjetrën si shtigjet e një labirinti, në qendrën e të cilit është misteri i dosjeve, shprehje të marrëzisë së kontrollit totalitar. Romani promovohet të hënën me praninë e autorit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: