Drejtuesi politik i PS në Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi një takim me banorët e Grekanit në Belsh.

Gjatë fjalës së tij, Balla tha se Bashkia Belsh është një bashki, ku PS dhe Edi Rama kanë vënë vulën e tyre të punës.

Balla shtoi se gjatë këtyre 30 viteve, vetëm në 5 vitet e fundit, Belshi ka marrë vëmendjen e qeverisë.

Ai theksoi se qëllimi i Partisë Socialiste është që të krijojë sa më shumë vende pune.

“Prej vitit 2013 ne erdhëm në qeverisje, por me ato kryetarët e PD ishte e vështirë të punoje. Në ka një bashki në Shqipëri ku PS dhe Edi Rama kanë vënë vulën e tyre të punës dhe të transformimit është Bashkia Belsh. Bie tërësisht dakord me atë që thotë kryeministri: Ne na duhet mandati i ri për t’i çuar përpara të gjitha punët që kanë nisur.

Jam shumë i sigurt që nuk kam lënë asnjë punë publike në 2-3 vitet e fundit që të ketë nisur në Belsh dhe të mos kem ardhur 4-5 herë për ta parë nga afër. Sepse unë besoj që një ndër problemet që ka sot Shqipëria është cilësia e punimeve. Ne investojmë, por duhet të garantojmë që çdo qindarkë të shkojë tek rruga, uji i pijshëm, kanalizimet e ujërave të zeza etj.

Qëllimi ynë është që të krijojmë sa më shumë vende pune. Këto vende pune mund të krijohen duke shfrytëzuar bukuritë e kësaj zone. Belshi është Toskana e Shqipërisë dhe që ne të krijojmë të ardhura, duhet të krijojmë kapacitete. Bujqësia mbetet prioriteti ynë. Shqetësimi i demokratëve është i drejtë, duhet të shpëtojnë PD-në duke votuar Edi Ramën.  Kjo është një zonë që në 30 vite, vetëm në 5 vitet e fundit ka marrë vëmendjen e qeverisë. Investimi që po bëjmë sot për rrjetin e ujit të pijshëm në Belsh është një investim që nuk e bën dot asnjë qeveri tjetër, nëse nuk kemi Edi Ramën kryeministër”, tha ai.

Në fund, Balla vuri në dukje edhe rëndësinë që kanë këto zgjedhje dhe vota e qytetarëve.

“Zgjedhjet e 12 prillit nuk janë zgjedhje për kryeplakun e fshatit, as për rrugën e shtëpisë tate, këto janë zgjedhje se cilin drejtim do të marrë Shqipëria në 10 vitet e ardhshme. Unë mendoj se kryeministrin e kemi, është në detyrë dhe si i tillë ai duhet të vazhdojë rrugën e nisur, betejat që janë në zhvillim e sipër. Nuk besoj që në Gregan dhe në Belsh ka njeri që në këto kohë të vështira mund të mendojë që drejtimin e vendit më mirë mund ta bëjë Lulzim Basha. Ne kemi shansin historik ta kthejmë Elbasanin në kyçin e fitores sonë në 25 prill, duke votuar numrin 12, duke votuar Edi Ramën, duke votuar Partinë Socialiste.”, përfundoi Balla.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: