Kreu i PD, Sali Berisha ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me qytetarët dibranë me temë “Dibra në Rrezik”.

Nga Sllova ku ka vendosur një kurorë me lule në monumentin ‘Elez Isufi’ & ‘Isuf Xhelili’, Berisha tha se si atëherë nën regjimin diktatorial dhe sot Shqipëria është në rrezik.

Ai deklaroi se një komb që humbet me shpejtësi banorët e tij, anëtarët e tij është në rrezik dhe rrezik të madh kudo.

Sipas tij, nga viti 2014 e gjer sot me statistika të sigurta të BE-së, vetëm në zonën e BE-së janë larguar nga Shqipëria mbi 744 mijë shqiptarë pa llogaritur sa kanë shkuar në vende të tjera të botës.

“Takohem me ju në këtë vend historik, takohem me banorët e Sllovës, trevë e cila ka kontribute thelbësore në historinë e Dibrës dhe të popullit shqiptar. Sot është dhe dita europiane e kujtimit të viktimave të regjimit komunist dhe nazist, të ngrihemi të nderojmë viktimat e diktaturës komuniste. Shqiptarët pësuan më shumë se çdo komb tjetër nga regjimi barbar stalinist.
Nder i madh që mblidhemi këtu para monumentit kushtuar njërit prej tribunëve më të shquar të kombit shqiptar Elez Isufit, Isuf Xhelilit. Tribun i cili qëndroi me një guxim, trimëri dhe mençuri të jashtëzakonshme në mbrojtje të Dibrës, në mbrojtje të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Ne shqiptarët në histori na kanë ndjekur rreziqet ç’është e vërteta. Kemi pasur fatin të kemi një pozicion gjeografik shumë të lakmueshëm, por të kemi dhe fqinj që më shumë se çdo gjë tjetër kanë lakmuar trojet tona. Në këtë aspekt lufta dhe vepra e Elez Isufit mbetet frymëzuese sot e përgjithmonë. Në trevat shqiptare, pasi morën 2/3 e trojeve fqinj të tjerë, Dibra ishte, e vërteta është bashkë me Hasin, Lumën më e lakmuara. Nuk u kënaqën me atë copëtim dhe padrejtësi por vazhduan serbët në përpjekjet më të mëdha për ta asgjësuar Dibrën.
Në këto përpjekje askush nuk luftoi më me guxim dhe më me trimëri se Elez Isufi, Isuf Xhelili dhe burrat e kësaj treve. Atëherë Shqipëria ishte në rrezik të madh, dhe secili mund të pyesë po si ka mundësi që dhe sot ne mblidhemi këtu dhe shpallim që Shqipëria është në rrezik.
Pasi dolëm nga diktatura komuniste, 32 vite mbrapa përsëri rreziku qëndron mbi ne si shpata e Demokleut. A jemi sot në rrezik apo po e teprojmë duke e shpallur një gjë të tillë. A është Shqipëria në rrezik, a është Dibra në rrezik.
Një komb që humbet me shpejtësi banorët e tij, anëtarët e tij është në rrezik dhe rrezik të madh kudo. Këto 8 vite asnjë komb tjetër nuk ka humbur pjesëtarët e vet sa i kemi humbur ne shqiptarët. Kjo nga viti 2014 e gjer sot me statistika të sigurta të BE-së, vetëm në zonën e BE-së janë larguar nga Shqipëria mbi 744 mijë shqiptarë pa llogaritur sa kanë shkuar në vende të tjera të botës”, deklaroi Berisha.

Ai vijoi: “Po ju jap një shembull tjetër; Greqia pas Luftës së Dytë Botërore ra në luftë civile. Nuk ka asgjë më të keqe për një komb, 1 milion grekë u larguan. Kurse ne për 8 vite jemi larguar 26-27% e banorëve nga Shqipëria. Jemi në rrudhje të madhe, në shkretim, po ikën rinia, fëmijët, po ikën e ardhmja”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb