Kur Shqipëria renditet ndër vendet e para në rajon për emigracion, ka edhe raste të atyre që kthehen përsëri. “Jeta pa filtër” nga Ervisa Lula u ndal këtë javë tek dëshmitë e disa të rinjve që kanë provuar në supet e tyre peshën e largimit.

Viola Goda, Erika Melonashi, vëllezërit Bledar e Denis Makishti, dikush me familjen e dikush me studime, tregojnë vështirësitë e zgjedhjes për të qenë larg familjes e çfarë i bëri të vijnë përsëri. Sipas sociologes Entela Binjaku emigracioni, përveç të mirave që sjell, i shkakton edhe shumë probleme një shoqërie që nga braktisja e zonave të banuara e deri tek ulja e numrit të lindjeve.

Bledar e Denis Makishti tani kanë biznesin e tyre si parukierë në Tiranë, ndërsa flasin për impresionin e fortë sapo zbritën në tokën greke kur ishin ende të vegjël, Erika Melonashi, Profesore e Asociuar kujton luftën e ditëve të para dhe vështirësitë për ta fshehur mallin e ngarkesat e një jetë të re. E intervistuar, avokatja Viola Goda emocionohet kur përpiqet të sjellë përsëri ndër mend çastet kur dëgjonte zërin e prindërve përtej telefonit pasi kishte nisur studimet në Itali.

Fjalët e tyre dëshmojë ato që jo shumëkush është ulur t’i rrëfejë për veten. Si e kishin menduar vendin e huaj e çfarë gjetën realisht, ky imazh për ta është sa i freskët, po aq edhe një reminishencë e mbetur thellë në vetëdije. Pyetjes më të zakonshme “pse u kthyet?” u përgjigjen duke lënë të kuptohet se nisur edhe nga përvojat personale, kanë mundur të gjejnë drita shprese në Shqipëri.

Për sociologen Binjaku rikthimi, jo shumë i zakonshëm, është edhe si një mënyrë për të shprehur mirënjohje për prindërit, për t’u afirmuar apo edhe plot arsye që do i kishin sjellë për ta vazhduar aty ku e lanë, por me një eksperiencë të vlefshme njerëzore. Emisioni “Jeta pa filtër” i autores Ervisa Lula vjen çdo të mërkurë në orën 10:20 në TV “News24”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb