TIRANE

Nuk është mbushur as një muaj, nga dita kur Moisi Habilaj, i konsideruar si “koka” e një grupi kriminal që trafikoi tonelata drogë drejt Italisë, u dënua me 15 vite burgim nga drejtësia e shtetit fqinj. Megjithatë, telashet për emrin e shumëpërfolur, nuk kanë të sosur. Ndonëse në mungesë, pasi ndodhet ne burgun e Catanias duke vuajtur dënimin, për Moisi Habilajn hapet një front i ri përballje me drejtësinë. Këtë herë në Shqipëri. Pas më shumë se një vit e gjysmë hetime, Prokuroria për Krime të Rënda i kërkoi gjykatës që Moisi Habilaj dhe tetë të pandehur tjerë të gjykohen për disa vepra penale, për të cilat nëse gjenden fajtorë rrezikojnë dënime deri në 17 vite burgim.

Ndaj dy vëllezërve Moisi e Florian Habilaj, ky i fundit në arrati,  dhe Nezar Seitit, i cilësuar si financier i grupit, njeriu që përplasi ashpër institucionet në vend, pas ekstradimit të paligjshëm drejt Italisë, rëndojnë akuzat e trafikut të narkotikëve në formën e posacme të grupit të strukturuar kriminal; krijimit të grupit të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave nga organizata kriminale. Të njëjtat akuza janë ngritur edhe mbi supet e pesë të pandehurve të tjerë, mes tyre edhe Armando Kocerri, pronarit të magazinës në Babicë të Vlorës, ku më shumë se një vit më parë, u kap një sasi rekord prej 4 tonë hashash.

Prokuroria

Në dosjen e prokurorisë që disponon ‘BalkanWeb’ e ‘News24’ thuhet ndër të tjera se: “të pandehurit Florian e Moisi Habilaj si dhe anëtarët e tjerë të grupit kriminal, për ushtrimin e veprimtarisë kriminale, kanë bashkëpunuar me zyrtarë të lartë të policisë së kohës; bëhet fjalë për të shumëkërkuarit Jaeld Cela, Sokol Bode e Gjergj Kohila. Në një episod, përgjimet telefonike konfirmojnë se “bimët narkotike të prera nga ana e policisë, janë lënë të padëmtuara dhe pjesëtarët e këtij grupi i kanë marrë më pas”. Nga kqyrja e telefonit të Taulant Haxhirajt, i dënuar më herët nga gjykata, rezulton se ai bisedon me një tjetër anëtar të grupit duke shkruar se cdo gjë bëhet “me shtet”. Këto përgjime, sipas prokurorisë provojnë faktin se aktiviteti kriminal zhvillohej me dijeninë e Policisë së Shtetit.

Më tej në dokumentin e institucionit të akuzës, flitet edhe për bashkëpunim të grupit kriminal me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili është nën hetim prej më shumë se një vit e tre muaj. Por edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë, grupi prej tre prokurorësh, nuk ka dalë ende me një vendim për fatin e ish-ministrit. Vendimmarrja ka mbetur peng i përgjigjes së dy leterëporosive nga Italia dhe Mali i Zi.

Nëpërmjet njërës prej letërporosive pritet informacion lidhur me një udhëtim të familjarëve të Tahirit nga Shqipëria drejt Italisë, në korrik të 2014, për faktin se në të njëjtin avion me të si në vajtje ashtu edhe kthim ka udhëtuar edhe Moisi Habilaj. Letërporosia pritet t’i japë përgjigje pyetjes nëse udhëtimi ka qenë rastësor, apo ka njohje të afërta mes familjarëve të ish ministrit dhe vëllezërve Habilaj, marrëdhënie që në fakt janë mohuar nga Tahiri. Afati për përfundimin e hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm është 19 janari, por me gjasë, prokurorët do të marrin sërish kohë.

Pas përfundimit të hetimeve nga ana e Prokurorisë, avokati Detar Hysi që mbron interesat e Nezar Seitit, i kontaktuar nga ‘BalkanWeb’ tha se ky është një ‘servilizëm’ i prokurorëve për të kaluar vettingun. Sipas tij ne kete menyre po dhunohen të drejtat e njeriut. Nezar Seiti është emri që përplasi ashpër institucionet shqiptare pas ekstradimit të kundraligjshëm drejt Italisë.

Të pandehur:

Moisi Habilaj , Florjan Habilaj, Armando Koçerri, Nezar Seiti, Sabaudin Çela, Tigrens Mezuaraj, Fatmir Minaj, Maridjan Sulaj, Armando Sulaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb