Thuajse 30 vite më parë Parlamenti i Shqipërisë e shpalli 27 qershorin si ditën e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Me kërkesë të kryetarit të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Z. Shpëtim Idrizi, seanca parlamentare e 3 korrikut ka nisur me një minutë heshtje për viktimat e masakrave nga shovinistët grekë në vitin 1945.

“2770 jetë njerëzore u masakruan barbarisht dhe ata nuk u vranë në luftë, por në shtëptitë e tyre, 68 fshatra u dogjën, 159 fshatra të tjerë u grabitën dhe rreth 30 mijë shqiptarë të Çamërisë u dëbuan nga tmerret e bandave paramilitare të Napoleon Zervës. Rreth 2900 të tjerë vdiqën nga uria, etja dhe sëmundjet në një rrugëtim biblik drejt Shqipërisë dhe ata sot prehen në varrezat monumentale të Kllogjerit, të cilat shumë prej jush fatkeqësisht nuk i kanë vizituar”, tha Idrizi si për t’i kujtuar deputetëve se detyra morale për të nderuar kujtimin e shqiptarëve të Çamërisë u takon të gjithëve.

Kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi përsëriti para parlamentarëve edhe një kërkesë të hershme të tij mbi Ligjin e Luftës.

“Jam i keqardhuar që nuk ka akoma një deklaratë apo një Rezolutë të këtij parlamenti për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë dhe pikërisht për avancimin si detyrim Kushtetues edhe nga Rezoluta e Shqipërisë për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë”, theksoi Idrizi jo vetëm si apel ndaj parlamentit dhe qeverisë.

Nga foltorja e Parlamentit, kryetari i PDIU-së i tërhoqi vëmendjen kryeparlamentares Lindita Nikolla për respektimin e kësaj dite çdo vit sepse ky është një ligj i miratuar nga po ky Parlament në vitin 1994, si dhe një detyrim qeverie kundrejt Rezolutës për shqiptarët e Çamërisë.

27 qershori është dita e njohur nga parlamenti i Shqipërisë me Ligjin nr 7839, datë 30.06.1994 “Për shpalljen e datës 27 qershor në kalendarin kombëtar si “Dita e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë dhe ngritjen e një memoriali”. Po ashtu, ka dhe një rezolutë të miratuar në vitin 2012 për Çështjen e shqiptarëve të Çamërisë detyruese për çdo qeveri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb