Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i policisë që degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit sot në Mamurras, ku mbeti i plagosur një 23-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia.

E ftuar në emisionin “Studio24”, gazetarja e kronikës Xhensila Kodra ka hedhur dritë mbi dinamikën e ngjarjes dhe momentet e tensionit kur Forcat Operacionale ndoqën mjetin ku ndodhej i kërkuari Leonard Dema, 23 vjeç. Sipas gazetares, situata u përshkallëzua kur personi që shoqëronte të kërkuarin ka kërcënuar efektivët me armë.

Kërcënimi me armë ndaj policisë dhe neutralizimi
Gazetarja Kodra deklaroi se në momentin e ndërhyrjes, një 28-vjeçar i identifikuar si Amadeo Fufi, i cili ndodhej në mjet me të kërkuarin, u ka drejtuar armën forcave të policisë në tentativë për t’u larguar.

“28-vjeçari Amadeo Fufi ka drejtuar armën në drejtim të forcave operacionale. Këta të fundit, përballë këtij kërcënimi dhe për të neutralizuar personat e për të shmangur arratisjen, kanë shpuar gomat e makinës me armën e zjarrit të shërbimit.”

Ndonëse policia ka qëlluar në drejtim të gomave për të bllokuar mjetin, mbetet ende e paqartë mënyra se si është plagosur në bark 23-vjeçari Leonard Dema. Autoritetet dhe grupi hetimor po rindërtojnë ngjarjen për të përcaktuar me saktësi se nga erdhi plumbi që preku të kërkuarin.

“Mënyra si është plagosur 23-vjeçari Leonard Dema mbetet ende e paqartë, nëse është qëlluar brenda automjetit nga personi tjetër (shoku i tij) apo ndonjë prej plumbave të shkrepur nga autoritetet mund ta ketë kapur në bark dhe ta ketë plagosur”, u shpreh gazetarja Xhensila Kodra në “Studio24”.

Hetimet vazhdojnë në vendngjarje për të zbardhur plotësisht balistikën dhe përgjegjësinë e këtij incidenti të rëndë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb