Tirana mund të humbasë Kristal Abazajn. Lojtari ka kontratë deri në fund të sezonit dhe në këto kushte sulmuesi bardheblu është një tjetër titullar që në fund duhet të zgjedhë nëse qëndron në skuadër apo jo.

Kontrata e tij prej 1.5 viteve e firmosur në janar 2023 mbyllet në qershor 2024. Në këtë moment që flasim te bardheblutë nuk ka ndonjë iniciativë për rinovimet. Ka folur vetëm Refik Halili në një mbledhje, ku ka premtuar kontrata të reja, por asgjë nuk ka ndryshuar, pasi për momentin askush nuk e ka mendjen te rinovimet, por rezultatet e ekipit. Në këto kushte, Tirana duhet të shohë dhe të bëjë përpjekje për ta mbajtur në ekip, pasi Abazaj është lideri i skuadrës së bashku me disa kokrra të tjera në grup.

Nëse ai largohet, klubi duhet të shohë për sulmues, duke humbur një futbollist me peshë. Abazaj është një nga më të paguarit e ekipit me një rrogë 10 mijë euro në muaj. Gjithsesi, Abazaj nuk është i vetmi që mund të ikë në fund të sezonit. Bardheblutë mund të humbasin dy lojtarët kryesorë të mbrojtjes. Bëhet fjalë për Filip Najdovskin dhe Bruno Lulajn. Të dy futbollistët janë në fund të kontratës.

Në fund të sezonit ata largohen me parametër zero, pasi janë në fund të kontratës. Lojtarët janë gjithashtu dy titullarët kryesorë të skuadrës në repartin e mbrojtjes. Najdovski ishte edhe kapiteni i ekipit bardheblu nga nisja e sezonit, ndërsa Lulaj titullar në mbrojtje. Lulaj është kërkuar gjatë në qershor dhe janar nga Elbasani dhe me kalimin në Superiore të skuadrës verdheblu mund të ketë një spostim të tij në këtë skuadër. Najdovski, pas probleme të fundit, mund të kërkojë për një skuadër tjetër.

Nëse largohen tre futbollistë, për Tiranën do të jenë humbje e madhe, ndërsa skuadra rrezikon të mbesë pa qendërmbrojtës, repart që edhe pse këtë sezon ka pasur tre titullarë, ka vuajtur për mungesë numrash. Kristal Abazaj ka 37 ndeshje, shtatë gola, katër asiste dhe 2713 minuta. Lulaj ka qenë në fushën e lojës 27 ndeshje, ka shënuar 3 gola dhe është aktivizuar 2090 minuta. Najdovski 26 ndeshje, 1 gol dhe 1992 minuta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: