Koronavirusi i ri, i njohur ndryshe si COVID-19 u shfaq në qytetin Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit 2019 dhe fillimisht u trajtua si një sëmundje misterioze për shkak të panjohurisë së burimit të tij. Ndërkohë në 31 dhjetor të vitit që lamë pas, autoritetet shëndetësore kineze raportuan pranë OBSH grupin e rasteve të prekura nga virusi.

Pacientët e prekur shfaqnin pothuajse të njëjtat simptoma tipike respiratore si ethe, kollë, gulçim, temperaturë dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje. Menjëherë pas rasteve të para në Ëuhan të Kinës, koronavirusi filloi të zgjeronte hartën e përhapjes me një shpejtësi të frikshme. Aktualisht rezultojnë 125 vende të prekura në të gjithë botën në një kohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se përhapja e COVID-19 është një pandemi globale.

Sipas statistikave zyrtare rezultojnë mbi 130 mijë persona të prekur nga virusi si dhe mbi 4700 vdekje të regjistruara në të gjithë vendet e prekura. Numri më i lartë i vdekjeve shënohet në Kinë, aty prej nga ku shpërtheu dhe u shpërnda më tej Covid-19. Por në një kohë që Kina po ia del ta mbajë nën kontroll virusin e ri, në Itali situata shfaqet problematike, me mbi 15 mijë të prekur dhe mbi 1000 viktima. Përhapja e virusit me shpejtësi edhe në vendet fqinje, vuri në alarm edhe Shqipërinë, e në orët e para të mëngjesit të 9 marsit u konfirmuan 2 personat e parë të prekur nga koronavirusi në vendin tonë. Aktualisht numri i të prekurve ka arritur në 33, ku një prej tyre ka humbur jetën si pasojë e virusit vdekjeprurës. Sakaq, masa rigoroze janë marrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Të gjithë bashkë mund ta fitojmë këtë betejë! Nuk është koha për panik, por për kujdes të shtuar. Higjena, qëndrimi në shtëpi dhe zbatimi i masave të dhëna nga autoritetet vendase është zgjidhja më e mirë për t’iu gëzuar sërish jetës pranë familjeve tona!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb