TIRANË

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar homologun e tij shqiptar, Edi Rama, për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Kurti shkruan se Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, ndaj siç thekson ai, “uroj që së bashku me kryeministrin Rama, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët”.

“Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies.
Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese. Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku”, shkruan Albin Kurti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb