DURRES-Gjykata e Apelit të Durrësit ka liruar nga burgu ish-drejtorin Autoritetit Rrugor Shqiptar, Andi Toma. Pasi shqyrtoi kërkesën, gjykata vendosi masën ‘detyrim paraqitje’ për Tomën, që nënkupton se hetimi për ish-drejtorin e Rrugëve do të bëhet në gjendje të lirë. Ai akuzohej për abuzime me fondin e rrugës Elbasan-Gjinar. Andi Toma ka qenë drejtor i përgjithshëm i ARRSH nga viti 2008 deri në vitin 2013.

Kujtojmë se Prokuroria e Elbasanit më herët kishte përfunduar hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen ndaj ish-zyrtarëve të ARRSH të cilët akuzohen për ‘shpërdorim detyre’ në ndërtimin e aksit rrugor Elbasan-Gjinar. Në gjykim u dërguan 11 ish zyrtarë mes të cilëve edhe ish drejtorët e ARRSH, Andi Toma e Dashamir Xhika si dhe tre kompani.

Xhika dhe Toma së bashku me të arrestuarit e tjerë akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe të fondeve publike në vlerën afro 500 milion lekë për rrugën Elbasan-Gjinar.

Fondet për të cilat Toma akuzohej se ka abuzuar:
Nga auditimi mbi zbatimin e kontratave të punimeve civile në objektet “Rikonstruksioni dhe zgjerimi i Rrugës së Elbasanit, segmenti Fakulteti Filologjik-Unaza e Madhe, Tiranë” dhe “Ndërtim Rruga Kukës-Morinë, Loti 1 (vepra arti të mëdha-dublimi)” nga KLSh është konstatuar se është rritur artificialisht fondi limit në vlerën 24,139,392 lekë (me TVSH) për objektet e mësipërme me pasojë efekte negative në buxhetin e shtetitë Konkretisht, dëmi financiar tek “Rikonstruksioni dhe zgjerimi i Rrugës së Elbasanit, segmenti Fakulteti Filologjik-Unaza e Madhe, Tiranë” është në vlerën 19,158,132 lekë (me TVSH) dhe “Ndërtim Rruga Kukës-Morinë, Loti 1 (vepra arti të mëdha dublimi)” në vlerën 4,981,260 lekë (me TVSH) e së fundmi në aksin Elbasan Tiranë dhe rrugën e Gjinarit në Elbasan me një dëm rreth 50 milion euro.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: