Parid Xhihani është një nga pjesëtarët e armatës së futbollistëve shqiptarë që kanë bërë karrierë në Ukrainë. Sulmuesi kavajas e pranon vetë për “Panorama Sport” se është trajtuar si mbret në tri vitet që ka luajtur me Zoria Luhansk. Si një njohës i zonës, kryesisht i Luhanskut, territor prorus që është marrë nën kontroll nga Rusia, Xhihani tregon se si ishte më parë dhe si ka degraduar qyteti.

Gazeta kontaktoi dje me ish-sulmuesin e Kombëtares për të marrë mendimin e tij rreth situatës dhe si e përjeton ai, si dhe duke na zbuluar të pathëna e të panjohura për shqiptarët për Luhanskun dhe vetë popullin ukrainas. Sapo i prezantohemi përmes telefonit, Xhihani përgjigjet: “Besoj për situatën në Ukrainë më keni telefonuar. Shumë i mërzitur kam qenë, pasi agresioni atje ka përkuar edhe me ditëlindjen e vajzës sime”. Më pas ai tregon se ka kontaktuar me të njohurit atje, madje sekretaren e klubit dhe kapitenin e skuadrës, që e ka shok të ngushtë, i ka ftuar që të vijnë e të strehohen në Shqipëri nëse kanë probleme. “Dyert e shtëpisë sime janë të hapura për miqtë nga Ukraina”, u shpreh i mërzitur Parid Xhihani.

Parid, si po e përjetoni situatën e fundit në Ukrainë?

Aty ku kam qëndruar unë për tri vite, në Luhansk, ka nisur lufta. Për Zotin, sot (dje) kur mësova nisjen e luftës, më janë mbushur sytë me lot. Situatën që ka nisur aty prej 2014-ës e kam përjetuar keq. Për tri vite kam jetuar si mbret aty. Ata janë njerëz të mrekullueshëm, aq më shumë që në vitin e parë te Zoria Luhansk u shpalla edhe golashënuesi më i mirë. Gëzoj një respekt të jashtëzakonshëm dhe ai vend e ai shtet më ka lënë mbresa të mëdha. Nuk flitet për anën ekonomike që kam pasur atje, por atë njerëzore. Edhe sot e kësaj dite kam lidhje me njerëzit atje. Realisht e kam përjetuar dhe po e përjetoj shumë keq situatën e fundit në Ukrainë.

A keni pasur kontakte së fundmi me persona që keni njohur dhe bashkëpunuar te Zoria Luhansk?

Sigurisht që i kam ruajtur lidhjet, aq më shumë që janë ata që në çdo aktivitet më kujtojnë dhe më urojnë në raste speciale. Madje, kur kam ditëlindjen, më nisin mesazhe me nga dy-tri faqe. Ata më kujtojnë dhe në këtë situatë edhe unë kam hyrë në kontakte. U kam thënë se çfarëdo halli që të kenë, derën time e kanë të hapur. Madje, pak më parë, pas fillimit të sulmeve, kam folur me sekretaren e klubit ku kam qenë, Natashën, dhe i thashë: “Nëse keni ndonjë problem sigurie, ejani në Shqipëri se ju sistemoj”. Kaq mund të bëj për ata. Dera e shtëpisë sime do të jetë gjithnjë e hapur për ata. Këtë gjë ia kam thënë edhe kapitenit të ekipit, pasi ai është i vetmi që ka mbetur në skuadër nga koha kur unë kam luajtur te Zoria. Vetëm kapiteni Nikita Kamenjuka ka mbetur nga koha ime se klubi është riformatuar komplet dhe ai është shoku im i ngushtë.

Mund të thoni diçka më shumë rreth Luhanskut ku keni jetuar, një zonë që tashmë është marrë nga rusët?

Ajo është zonë pro-ruse. Kemi qenë shumë adër Rostovit të Rusisë. Madje, me Moskën isha 40 minuta larg me avion. Ndonëse ishim pjesë e Ukrainës, me Kievin isha 1 orë e 40 minuta larg.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: