Krijimtaria unike e artistes Lume Blloshmi e ndarë nga jeta një vit më parë për shkak të Covid-19, do të jetë përfaqësuese e Shqipërisë në Bienalen e Venecias, nën titullin “Lume Blloshmi” nga e para. Veprat e artistes që shenjoi dallim të thellë në artin shqiptar pas 1990-ës, u soll në vëmendje në një bashkëbisedim mes kuratorësh e kritikësh.

Ministrja Elva Margariti tha se vepra e Lumes në Pavijonin shqiptar në Venecias është “një rrugëtim për të njohur një artiste e përmes saj për të njohur edhe udhëtimin e artit shqiptar, të dhimbshëm e të veshur me mister”.

Studiuesja Zana Varvarica, vërejti se “Lumja ishte artiste që nuk ndalej. Buzëqeshjen, humorin dhe çështjet seksuale që zbulonte ne tiganin e saj, i mendon edhe më gjatë për t’i kthyer në fotografi, dhe fotografia bëhet performancë. Të vendosje Kamasutrën në një tavolinë bashkëbisedimi, ka qenë vërtetë një tabu”.

Pavijoni shqiptar është komisionuar nga Ministria e Kulturës ndërsa ata që e kanë njohur Lume Blloshmin, karrierën dhe karakterin e saj, përshkruan ecurinë artitstike, të gruas fenomen, që sfidoi pamundësitë fizike të shënjuara nga një sëmundje fëmijërie e gjithaq, pushtetet që i kishin shtypur liritë.

Studiuesja Eleni Laperi tha se “ishte një mangësi e mbledhur deri më 19990 gjatë gjithë jetës së Lumex që ajo kërkonte ta nxirrte. Lumja kishte bërë shpesh kompromise në jetën e saj, ishte e detyruar t’i bënte. Vetëm në krijimtari nuk bëri kurrë kompromise”.

Kritiku Krenar Zejno pohoi se Lumja, “arrinte në një platformë që është pushteti i natyrës dhe pushteti i kulturës, ashtu siç teoria i vë bashkë. Ajo bëri profesi artistike”.

Blloshmi krijoi para dhe pas ’90-ës, me dëshirën për të kapur kohën e humbur dhe duke qenë gjithnjë jo vetëm gruaja ndryshe, por gruaja e lirë që falë lirisë i dha artit shqiptar vepra të munguara. Kontroverse dhe kryeneçe e paturpësisht e lirë, vepra e saj tejkaloi limitet shqiptare, çlirimin seksual, konceptin e turpit duke lënë pas një trashëgimi të veçantë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb