Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se nëse kemi rritje të rasteve me koronavirus, do të hapet edhe COVID 4. Në një dalje për mediat ministrja theksoi se janë bere gati te gjithë skenarët ne rast te shtimit te rasteve.

Ajo i bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë masat.

“Të dashur qytetarë,
sikurse jeni në dijeni, situata epidemiologjike në vend ka patur një trend në rritje gjatë javëve së fundit sa i përket numrit të shtuar të rasteve pozitive ditore por edhe të shtrimeve në Spitalin Infektiv në QSUT, gjej rastin të apeloj sërish për rritjen e ndërgjegjësimit të çdonjerit prej jush, mbajtjen e rregullave të distancimit social, vendosjen e maskave aty ku duhet dhe ruajtjen e higjienës personale.
Janë armët e vetme që kemi, për të shmangur përhapjen e këtij virusi të rrezikshëm që është ende prezent. S’duhet ta lejojmë këtë virus të na infektoje, të infektojë të afërmit tanë, fëmijët e prindrit tane. Nëse në fazën e parë, me masat e shpejta ja dolëm me sukses ta zbusim kurbën e infektimit dhe të mbronim sistemin shëndetësor nga mbingarkesa, duhet të veprojmë po me kaq kujdes dhe vetëdije të lartë dhe në këtë fazë të dytë.
Kemi përgatitur disa skenarë për trajtimin e të sëmurëve të prekur nga ky virus, sikurse sistemi shëndetësor tashmë i hapur, po vijon me kapacitet të plotë dhe është futur në normalitet prej 1 muaji.
Por nëse s’duam të shohim në vendin tonë pamje si ato të spitaleve në vendet fqinje, që shkuan deri në kolaps të sistemit, duhet të bëjmë të pamundurën për të parandaluar çdo mbingarkesë të shkaktuar nga ky infeksion.
Si bëhet kjo, secili duke bërë detyrën e tij, të mbrojmë personelin shëndetësor, duke mos e rrezikuar atë nga pakujdesia apo neglizhenca.
Gjatë këtyre tre muajve ne kemi marrë të gjitha masat dhe kemi siguruar stokun e materialeve të mbrojtjes personale për stafet mjekësore, kemi rritur numrin e pajisjeve të nevojshme biomjekësore për trajtimin e pacienteve dhe kemi siguruar terapitë e mjekimit pa asnjë mungesë.

Me plotësimin e kapaciteteve në Spitalin Infektiv, po përgatitemi për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin në rritje dhe jemi duke rekrutuar stafin mjekësor dhe infermieror që do të shërbejë në këtë spital. Paralelisht nëse do të kemi shtim të rasteve në terapi intensive do të rihapim Spitalin COVID 2, pra ish-Sanatoriumin, dhe në skenarin tjetër, në rast se shifrat kapërcejnë këto kapacitete do të kalohet tek spitali karantinë COVID4 në aksin Tiranë-Durrës.

Jemi duke u përgatitur për disa skenarë sipas planit të veprimit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Po sërish çdo qytetar është i lutur të mbrojë sistemin shëndetësor, të mos e vërë në sprovë. Vetëm duke treguar kujdes për masat më të thjeshta, parandalimi është e vetmja armë e sigurt ndaj këtij virusi, do të mund t’ja dalim edhe në këtë situatë.”, tha ajo.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb