NGA FATMIR MINGULI*

Vëllimi “Miscellanea 11” (botim i Aparkeas-Abraxas, 2015), i Moikom Zeqos plotëson korpusin poetik të tij. Në këtë vëllim janë përfshirë librat: “Tërmeti në kornizë”, “Tercinat e Dantes japonez”, “Anti-haikutë e Makabe Zaharisë”, “Ylli ringjallës”, me poezi të harkut kohor 1970-2015 Për Moikom Zeqon vlen sentenca e poetit frëng Malarme: “Tout au monde existe pour aboutir a une livre!” dmth “Gjithçka në botë ekziston për t’u derdhur në një libër”. Po për Moikomin të koleksionosh poezi nuk është, siç thoshte Borgesi, të koleksionosh ëndrra, sepse poezia s’është identike me ëndrrën, se realiteti onirik është substancë e imagjinatës, por imagjinata është shumëfish më tepër, më e pamatshme, pra edhe më e paklasifikueshme. Fjala poetike shkëlqen nga një liri dhe mundësi e pafund. Fjala s’është fragment. Është tërësi e plotfuqishme. Vëllimi “Miscellanea 11” është një vijimësi, por edhe shmangie, është i ngjashëm por edhe i pangjashëm me dhjetë vëllimet e mëparshme të korpusit moikomian. Për mendimin tim “Miscellanea 11” është një kurorëzim mendor, i stilit dhe poetikës elitare të Moikomit.

Botimi i dy librave të tij poetikë tejet të suksesshëm në SHBA e klasifikon autorin sipas shkrimeve të poetëve të shquar Wayne Miller Ilyo Kaminsky, Kevin P. Prufer, Kathryn Nueberger etj si një poet të spikatur të nivelit botëror. Në “Miscellanea 11” Moikomi përdor disa monada poetike. Një nga këto struktura metaforike arketipale është ajo e Atlantidës. Sa më shumë që thellohesh në krijimtarinë e madhe poetike të Moikom Zeqos aq më shumë emri i Kontinentit të Humbur vjen dhe shfaqet si far që ndriçon rrugët e anijeve që vinë nga detet e largëta. Është e tepërt të shpjegosh universalitetin e emrit të ishullit legjendar i cili që nga shkruesi i parë për të, Platoni i lashtësisë është frymëzim gati hyjnor për shkencëtarë e për shkrimtarë, kineast, piktorë dhe a, sa shumë autorë të filmave vizatimorë. A thua që kjo jehonë e cila vjen nga zhurmat e rrugëve egocentrikë të Atlantidës të 9600 vjet më parë është kaq e fuqishme, kaq shumë e perceptueshme! Patjetër që hyu është në veprim të vazhdueshëm.

Moikom Zeqo, Atlantidën e ka ishullin e gjetur dhe spirancën për ankorimin e shpresave jo vetëm të tij, por për mbarë njerëzimin. Atlantida për poetin është pasqyrimi vertikal i botëve të zhytura. Shkrimtarë të mëdhenj janë marrë me këtë pasqyrim ku rrugën i pari e çeli Zhyl Verni në vitin 1870 me romanin fantastiko-shkencor “Njëmijë lega nën det” për të vazhduar me të madhin tjetër Artur Konan Dojl, në 1929 me romanin “Thellësia e Marakotit” e kështu me radhë deri sa vijmë në vitin 2001 me romanin “Kodi i Atlantidës” të shkrimtarit Stel Pavlou. Ndërsa Moikom Zeqo ka shkruar dhe po shkruan “romanin poetik” të Atlantidës. Është shqiptari i parë që po krijon këtë hulli që është për t’u patur zili e që nuk është fare e lehtë! Qytetërimi atlantidas ka qenë shumë i zhvilluar e sipas shumë studiuesve ishte i papërsëritshëm. A është poezia e Moikomit ashtu si ai qytetërim, apo e ngjashme me të? Vetëm se Moikomi e kurdis ndryshe orën e tij poetike duke iu larguar metrikave të zakonshme e del në pluskim të plotë, i gatshëm për të fluturuar lart në hemisfera të një poezie re poetike. Ai surprizon.

Koncepti i surprizës qëndron në një fakt shumë sugjestionues të poezive të këtij autori, në rikonceptimin shpërthyes, kërkues, sintetizues të poezive me strofa dhe me rima, pra pas shtegtimeve moderne në shtjellimin krejt të lirë të vargjeve dhe të imagjinatës së harlisur, poeti kthehet mbrapsh për të gjetur në Atlantidë shpirtërore të shekujve të dikurshëm, antikë, që ngjante fatalisht e harruar, por që nuk ishte e tillë. Në poezitë më të fundit të librit të ri, Moikom Zeqo përsëri sjell Atlantidën por kësaj here Atlantidën post-industriale. Bota sot është Atlantida postindustriale E semaforët janë sy peshqish përbindësha Të thellësive misterioze. Kështu legjenda kthehet në realitet, poeti ndodhet brenda legjendës dhe ashtu që andej emeton sinjalet e një poezie të re europiane me timbrin e trans-poezisë, me thirrmat e botëve që shkuan e më s’dëgjohen e me tingujt e pakapshëm të së ardhmes që vetëm instrumentet e veçantë i kapin. Çdo poezi e Moikomit ka përmbajtje aq të çuditshme, po edhe që të çon në mendime aq më tepër që ashtu si janë tregojnë stilin moikomian të poezisë të papërsëritshëm nga asnjë tjetër.

Çdo poezi ka filozofinë e saj si pjesë përbërëse e një filozofie të plotë në krijimtarinë e Moikomit. Ato kanë erudicionin e jashtëzakonshëm, botënjohjen por edhe teknika të reja në artin poetik. Poezitë e Moikomit vinë në një ngjitje të çuditshme, një ngjitje ndonëse nën kupton spiralen, ajo krijon hedhje lart në përmbajtje, në stil e në formë. Ato dallojnë që janë poezitë e Moikom Zeqos dhe që të trondisin për flukset që përcjellin, flukse që të ngazëllejnë dhe të bëjnë të kujtosh se ndodhesh në një koncert simfonik botëror ku poezitë e tij janë muzika, instrumentet, dirigjenti, orkestrantët dhe publiku – lexues. Poezia e Moikom Zeqos buron nga natyra por poeti atë e kthen në shpirt, e bën atë shpirtërore. Kemi të bëjmë me një postulat universal.

Figurat marramendëse që shfaqen nëpër poezitë e Moikom Zeqos janë krijesa që gjallojnë në një Atlantidë të dytë. Vazhdimisht Moikomi ka shkruar në librat e tij për botën tonë si koncept të dyfishtë botën e re dhe atë të vjetër. Bota jonë nuk është më “shtëpia ku jetojmë” dhe është patjetër vendi ku shfaqet e vërteta dhe bashkë me të edhe vlerat e saj, shoqëruar edhe me kuptueshmërinë e tyre. Kjo botë është në rënie të plotë, në mos është drejt rënies, është drejt një absurdi dhe në fund të fundit është vendi i dekonstruktimit që quhet vdekje. Jo vetëm apokalipsi absolut. Por kjo dukuri nuk është patjetër fakt që do të na çojë në dëshpërim apo në nënshtrim në mënyrë të domosdoshme. Dhe ja, përsëri Atlantida që reflekton këto ide e duket sikur thotë që “asgjë nuk është e vërtetë për një fund total”. Është zëdhënësja e një uebsaiti virtualoreal ku poezitë e tij janë në rezonancë të plotë në çdo frekuencë. Dhe këto konkluzione dalin në dhjetëra poezi për Atlantidën.

Atlantida dhe poezitë për të nuk janë thjesht fantazi dhe përqasje por janë shpërbërës të konceptit “Sëmundje”. Por edhe Kirkergardi i mençur ndonëse i ftohtë si nordik, na ngroh e na mëson se kjo “sëmundje” mund të bëhet stimul për t’i hyrë studimeve kërkimore për një shpëtim ose të paktën të na japë mundësi që të jemi të gatshëm, dhe të vëmendshëm për të pritur që e mira të shfaqet… A nuk është konceptualiteti i Atlantidës një formë e lirisë së madhe, asaj lirie që kërkojnë poetët e vërtetë, lirisë kozmike! Një analizë e tillë për monadën poetike të Atlantidës tregon se poezia është multisemantike për optikën e saj mbi botën, universin dhe qenien ekzistenciale si një enigmë e përjetshme. Por Moikomi shfrytëzon dhe artikulon shumë struktura të tjera mendore si psh mitet, krishterimin biblik, por edhe atë gnostik, paraqitjet logocentriste të modernizmit dhe të postmodernizmit.

Moikomi shkruan: E them një metaforë si kafshën e shpikur, Që s’e ditën kurrë zoologët. Një meritë e jashtëzakonshme e Moikomit është që ka konstruktuar një sistem figurativ që të çuditshmin në poezinë shqipe, por ndoshta edhe në atë europiane. Metaforat e tij janë të pafundme dhe të papërsëritshme. Ai është Princi i Metaforës. Gjithashtu mund të them se poezia e tij është e shkruar si në një trans të shenjtë dhe se lidhjet kuptimore ndërmjet vargjeve janë të trillit krijues të Pindarit, poetit antik që Moikomi e adhuron si një poet postmodern i gjendur rastësisht dhe i parakohshëm, para 25 shekujve. Për Moikomin poezitë janë tatuazhe të kohës dhe të hapësirës, të shpirtit universal që s’ka limit.
* Shkrimtar, eseist, autor i disa librave me krijimtari artistike dhe kritikë letrare

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: