Duke komentuar atë që po ndodh në Parlamentin e Shqipërisë, profesor Artan Fuga thotë në News 24, se e sheh me trishtim atë që po ndodh dhe kjo sipas tij, ndodh për tre arsye.

“Doja të shprehja një trishtim për tre arsye kryesore. E para, sepse ne si qytetar presim një parlament funksional, që të hapi dyert për qytetarët, grupimet shoqërore. Ndërkohë, ne shikojmë bllokime, hekura, dyer të mbyllura, një lloj presioni fizik trup më trup. Trishtimi i dytë është për këtë lloj situate në të cilën ndodhet demokracia shqiptare. Fakti pranohet nga të gjithë që në Shqipëri, ka një pushtet por nuk ka një opozitë. Një shoqëri ku ka një pushtet por s’ka një opozitë, pra nuk ka asnjë hapësirë që opozita të ketë ndikim mbi kontrollin qeveritar, bërjen e ligjeve, pra nuk sjell asgjë si efekt veprimi kuptohet që është një pushtet ku roli i opozitës është i pandjeshëm. Së treti, shikojmë një opozitë që si gjetjen më të madhe ka gjetur veprimin trupor, fizik. Sigurisht edhe pozita mund të ketë argumentimet e veta. Aksioni opozitar është rrudhur me lojëra me karrige dhe kapërcim gardhesh”, theksoi ai.

Profesor Fuga komentoi edhe deklaratat e deputetit Petro Koçi dhënë më herët në studion e News 24, duke theksuar se ngritja e komisioneve hetimore është një e drejtë e opozitës dhe nuk sjell problematika për Parlamentin.

“Të thuash që të ngresh komisione se kjo fut në ngërç Parlamentin, kjo do të thotë se nuk ia ke haberin Parlamentin. Komisionet parlamentare mund të vazhdojnë, Parlamenti në anën tjetër. Të thuash se kjo sjell ngërç në jetën parlamentare kjo është një absurditet. Mos jemi 2 mijë vjet mbrapa Evropës. Njerëz që kanë një mendim politik brenda mazhorancës, ata e dinë shumë mirë që një komision hetimor nuk sjell asgjë dhe e fusin opozitën në një rrugë pa krye. Dhe e masin me forcën e kalon gardhin se kalon, futesh nga dritarja apo jo. Mohimi i komisioneve hetimore është krejtësisht i padrejtë. Përderisa nuk ka arsye as funksionale, është fakti që shtyhet opozita këtu, është një kaos që nuk sjell asnjë gjë në dritë. Mazhoranca e ka futur opozitën në një rrugë pa krye”, shtoi ai.

Profesor Fuga komentoi gjithashtu edhe paralajmërimin për grevë urie të deputetëve të opozitës. “Të shkosh në grevë urie nuk ke nevojë të shtyhesh në dyert e Parlamentit. Aty do të shikojmë se si do shkojmë. Këtu ku jemi. E para sigurisht, kërkesat e opozitës janë të drejta. Por, kjo rrugë e veprimit fizik ka disa probleme. Ai manifeston, është një shenj. Opinioni publik është bërë indiferent ndaj politikës. Nëse opozita do të sillte në shesh, 100 apo 50 mijë veta nuk do të bënte këto veprime. Opinioni publik si të thuash është i mpirë. Shqiptarët mund të jenë kritik ndaj qeverisjes, por ka një mpirje të trupës elektorale për të qenë aktive.

E dyta ne jemi në një situatë gjeopolitike, historike që është ndryshe nga ai i ‘97-s. Shenjat e kësaj gjuhe fizike janë shumë të zbutura dhe sigurisht duhet të jenë të kënaqur që nuk është më situata e 25 viteve më përpara por nga ana tjetër themi që këto kode të sotme, kjo gjuhë trupore nuk duhet të eci me iluzionin e atyre viteve të mbrapshta. Ajo kohë ka mbaruar. E treta, ne kemi një gjendje ku opozita me këto veprime, në fakt ndodhet përpara një problemi që ka qenë edhe në grevën e urisë së deputetëve socialistë në vitin 2011 dhe unë kam mbajtur të njëjtin qëndrim edhe atëherë. Kur deputeti ndërhyn fizikisht, bën dy kapërcime të statusit të vet. Deputeti është një figurë simbolike, që është përfaqësuese. E dyta, deputeti është një qenie që vepron me ndërgjegje, me anë të argumentit juridik”, nënvizoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: