Në qytetin e Përmetit nisi punën kantieri më i ri i ndërtimit në trashëgiminë kulturore, “Guri i Përmetit”, projekt i Ministrisë së Kulturës, Institutit të Monumenteve dhe Bashkisë së Përmetit.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ndoqi nga afër fillimin e punimeve, shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Përmetit, Niko Shupuli.

“Guri i qytetit të Përmetit” ndodhet në veri të zonës qendrore të qytetit, është i vendosur në një hapësirë të gjelbër prej 4500 m2.

Projekti konsiston në rijetëzimin e monumentit të kulturës nëpërmjet rikualifikimit të zonës, rivitalizimin e ‘Gurit’ dhe kthimin e kësaj zone në pikë interesi.

“Nuk mund të jetë më Përmeti një destinacion i anashkaluar dhe ca më keq i harruar, siç ka qenë deri më sot nga harta jo vetëm e qarkut të Gjirokastrës, por edhe më gjerë, sepse Përmeti ka një pasuri të jashtëzakonshme të pasurive natyrore, kulturore, shpirtërore, që është meritë vetëm e përmetarëve dhe paraardhësve të tyre”-u shpreh Ministrja Kumbaro në vazhdim të fjalës së saj.

Ideja kryesore e këtij projekti është krijimi i një traseje përgjatë së cilës do të ketë shkëmbim informacioni kulturor e artistik. Projekti bazohet në krijimin e tri hapësirave kryesore: Tuneli, shkallët, rrënoja dhe në evidentimin e vlerave të tyre nëpërmjet ndriçimit dekorativ dhe funksional.

Ky projekt është njëri nga kantieret e hapura të Rilindjes Urbane, që ka për qëllim të përmirësojë infrastrukturën, të rrisë cilësinë e shërbimeve dhe të krijojë formula të reja të turizmit, falë pasurive natyrore dhe kulturore që ofrojnë qytetet me trashëgimi kulturore.

Kumbaro nuk harroi të kujtojë nga Përmeti se “Filozofia e qeverisë shqiptare për qarkun e Gjirokastrës është që të jetë kryeqendër e turizmit. Të kthehet në një qark me shumë pole atraktive. Krahas kantiereve të rilindjes urbane të forcojmë turizmin. Biznesi duhet të zgjohet dhe të ecë paralelisht me investimet e autoriteteve shtetërore për t’u ofruar një menu turistike të denjë çdo vizitori në këtë zonë”.

Projekti “Guri i Përmetit” kap vlerën e investimit prej 8.560.848 lek dhe pritet të përfundojë në harkun kohor të dy muajve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: