Tirana shpartallon 5-1 Partizanin në ”Air Albania Stadium”, duke mposhtur për herë të dytë radhazi rivalët e tyre të qytetit dhe vijimin drejt titullit kampion. Derbi nisi vrullshëm ku në 19 minutat e para të lojës u shënuan 3 gola dhe u dha një karton të kuq. Fillimisht ndeshja nisi me vonesë pasi tifozët e kuq ”Ultras Guerrils” ndezën flakadanë duke e mbushur stadiumin me tym .

Që në minutën e 2-të braziliani i Partizanit, William Cordeiro shënoi një gol fluturimthi duke mos i dhënë asnjë shans portierit kundërshtar Ilion Lika. Por avantazhi zgjati vetëm 14 minuta. Në të 16-tën Tirana fiton një penallti me Torassan. Pasi arbitri sinjalizoi penalltinë i dha të kuq edhe mbrojtësit të Partizanit Eneo Bitri. Nga pika e bardhë e penalltisë Batha u tregua i saktë. Tre minuta më pas sërish Torassa fiton penallti dhe Batha kësaj radhe e çon në trekëndësh për të ndëshkuar për herë të dytë radhazi ish- skuadrën e tij Partizanin.

Në pjesën e dytë një harkim në shtyllën e dytë nga Ngoo është realizuar jo nga një futbollist i Tiranës por i Partizanit. Mbrojtësi Hektor Idrizaj ngatërroi portën duke e çuar në atë të bashkëlojtarit të tij Alban hoxha. Në minutën e 82′ Partizani bën një gafë në mbrojtje dhe aty përfiton talenti Ernest Muçi i cili me portën bosh e shënon edhe golin e katërt.

Vetëm në minutën e 88-të u vendos balanca mes lojtarëve pasi edhe për Tiranën doli me të kuq argjentinasi Torassa por ishte shumë vonë për Partizanin. Por Tirana nuk e la me kaq. Sërish Ernest Muçi me një supergol nga faulli dhe nga një largësi prej mbi 25 metrash tundi edhe njëherë rrjetën e Partizanit.

Me këtë fitore Tirana konsolidon kreun me 47 pikë. Kukësi me një ndeshje më pak qëndron në vendin e dytë me 42 pikë ndërsa Partizani me 38 pikë në vendin e tretë i kërcënuar nga Teuta dhe Laçi që e ndjekin me nga 35 pikë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb