Nga: SERVET PELLUMBI*TIRANE-Të vijmë përsëri te demonstratat dhe monumentet e Stalinit, te taktika e “dhënies” së monumenteve të Stalinit dhe e stalinizmit për të ruajtur monumentet e Enverit dhe enverizmin me të cilin identifikohej “komunizmi shqiptar”. Në thelb demonstratat dhe rrëzimi me radhë i monumenteve të Stalinit e Leninit, në thelb, shënoi rënien edhe të enverizmit e fitoren e demokracisë. Populli filloi të vrasë frikën dhe të tregojë pjekuri politike, të iniciojë lëvizje popullore me kontekste të qarta politike në kushtet kur ende nuk bëhej fjalë për ekzistencën e partive të tjera politike veç të vetmes “Partie Punës”. Shteti totalitar nuk mund të mposhtte aspiratën popullore për ndryshime demokratike. Këtë dëshmoi edhe “demonstrata e tipit të ri” që u zhvillua në Tiranë, më 28 janar 1990, ora 18, ku mbi 10 mijë veta, kryesisht të rinj, para Teatrit të Operës dhe Baletit, grupe-grupe ecnin, qëndronin, bisedonin qetësisht për rreth një orë, kurse udhëheqja priste në panik zyrave se ç’do të ndodhte duke shpresuar se organizatat e frontit demokratik, sipas porosisë direkte të R.Alisë, do të kishin ndihmuar për ta tkurrur demonstratën me disinformimin derë më derë: “Demonstrata para Operës nuk do të bëhet”! Pas aksioneve të tilla pritej natyrshëm shkallëzimi i mëtejshëm. Dhe ai nuk vonoi. Më 11 mars 1990, “plasi” në Kavajë. Edhe këtu me një veçori tjetër: Ndodhi ballafaqimi i parë i policisë së rendit me popullin ku u hodhën parullat politike: “Poshtë pushteti”, “Poshtë diktatura”.

Ashtu si në Shkodër, në janar, edhe në Kavajë pason një demonstratë tjetër, ajo në stadiumin “Besa”. Parullat të gjitha me natyrë politike: “Poshtë diktatura”, “Poshtë Partia e Punës”, “Poshtë Enver Hoxha”. Pjesëmarrës jo të pakët hodhën në fushë “veprat” e E.Hoxhës të mbështjella me letër të zezë Kavaje. Ndërhyrja e dhunshme e forcave të rendit e përkeqësoi situatën…Disa prej njerëzve të revoltuar me çorape grash në kokë për të mos u identifikuar nga Siguri-mi i Shtetit, thyen xhamat e dyqaneve të tregtisë shtetërore. Të nesërmen qyteti i Kavajës përsëri oshtinte nga parullat “Lironi vëllezërit tanë”, “Enver-Hitler”, “Poshtë komunizmi”, “Liri-demokraci” etj. U pa qartë se kjo demonstratë ishte e mirë-organizuar dhe kishte siguruar mbështetje të gjerë e popullore. Pas kësaj, udhëheqja e PPSH-së u detyrua të shpallë një paketë reformash liberalizuese, ndër të cilat: anulimi i nenit 55 të Kodit Penal, për agjitacion e propagandë, lejimi zyrtarisht i besimeve fetare, dhënia e pasaportave për jashtë shtetit, lirimi i të burgosurve të ndërgjegjes, arratisja apo largimi jashtë shtetit me anën e kalimit të paligjshëm të kufirit të mos quhej më krim kundër shtetit por kundërvajtje penale etj. Në planin e jashtëm: vendosja e marrëdhënieve diplomatike me RFGjermane, aderimi si vëzhgues në KSBE, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me BS dhe fillimin e bisedimeve me SHBA-në. U duk se Shqipëria ishte e gatshme për të ecur në të njëjtën rrugë dhe me të njëjtin hap me vendet e tjera ish-socialiste. Por realisht nuk ndodhi kështu… Më 16 prill 1990, në plenumin e X-të të KQ të PPSHsë, R.Alia pas iluzioneve që pat krijuar me idenë e demokratizimit dhe të ndryshimeve reformuese nga lart, ritheksoi gati me arrogancë: “Dy gjëra nuk do t’i lejojmë kurrën e kurrës, e para, punën e shumë partive… sepse kjo do të thoshte tradhti ndaj atdheut, mbarim i pushtetit popullor, mbarim i revolucionit, e dyta, ne kurrë nuk do të pranojmë çështjen e pronës private, tregun e lirë e … kjo do të thotë likuidim i socializmit”… (AQSH, Fondi 14/AP.ou. dosja 2).

Pse R.Alia vazhdon të jetë i dyzuar, pse tjetër bën e tjetër thotë? A është kjo frikë për të kaluarën apo thjesht “çështje personaliteti” e R. Alisë? Gjithsesi, është fakt që historia i kishte tejkaluar tashmë manovrimet e R.Alisë… Nga të gjitha të dhënat, madje edhe nga përgjigjet që më ka dhënë kur e kam pyetur drejtpërdrejtë R.Alinë, kam krijuar bindjen se ai ishte i mirinformuar si për Perestrojkën e Gorbaçovit, ashtu dhe për zhvillimet në vendet ish-socialiste të Europës. Atëherë ka pranuar edhe që i kanë ardhur materiale të posaçme, që i mbajti gjatë nëpër duar, siç ishte rasti i manualit të koduar “Katovica”. Kurse ish-sekretari i R. Alisë flet edhe për një letër të Gorbaçovit në adresë të R.Alisë, të cilën thotë se e disponon. “Gorbaçovi, sipas G.Zenelit, shkruante që sistemi dështoi, të merren masa dhe të bëhet kthesa” (Gazeta SOT, 16.01.2015).Vetë zhvillimi i ngjarjeve në Shqipëri, kalimin gradual nga socializmi shtetëror në demokraci dhe ekonominë e tregut, që s’është ende kapitalizëm klasik, dëshmon që “Katovica” si strategji (Material i ardhur si dikur udhëzimet e Kominternit, më pas me letër nga M.Gorbaçovi dhe nga A.Llukanovi, kryeministër i Bullgarisë), gjeti zbatim me të mirat dhe të këqijat e veta nën drejtimin e R.Alisë.

Këtë e kam bërë publike që kur ishte gjallë R.Alia dhe ai nuk e ka përgënjeshtruar. Ndërkaq, një analizë më të hollësishme për zbatimin e strategjisë “Katovica” në Shqipëri e kam bërë që në librin “Pluralizmi politik-Përvojë dhe sfida” (IS, 2006, f.22-30) dhe në “Etikokracia” Bot.Morava, Tiranë 2013, f.93-110). Në të vërtetë është fakt që Shqipëria pavarësisht nga çfarë i deklaroi R.Alia Bojko Dimitrovit, për shumë çështje ndoqi në mënyrë të heshtur variantin bullgar, sidomos për transformimin e partisë në pushtet. Megjithatë, rruga e Shqipërisë pati veçoritë e veta që u kushtëzuan me faktin që R. Alia, i cili ishte në krye të Presidiumit të Kuvendi Popullor dhe Sekretar i parë i PPSH-së, nuk dha dorëheqjen si Zhivkovi, Honeker, Jaruzelski, Kadar, Husak, por u kujdes që të mbronte pushtetin e vet dhe të gjitha ndryshimet të bëheshin sipas porosive të tij…

Shkrimin e plote e gjeni sot ne Gazeta Shqiptare ne print

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: