Sekretari për çështjet ligjore në PD-, Ivi Kaso në një deklaratë për mediat foli për pjesëmarrjen në aktivitete politike të gjyqtarëve.

më tej ai tha se Sokol Sadushi, kryetari i Gjykatës së Lartë e shpërfill Kodin e Etikës së Gjyqtarit dhe e shkel atë, ndërsa bëri thirrje që të merren masa të menjëhershme.

Deklarata e plotë e Ivi Kaso:

Pika 6/ b e Kodit të Etikës Gjyqësore e thotë qartë: gjyqtari duhet të shmangë sjelljet që mund të krijojnë përshtypjen te publiku se është i angazhuar politikisht, dhe as të marrë pjesë në aktivitete politike, në cfarëdolloj mënyre, me përjashtim të çështjeve me rëndësi për funksionimin e gjykatave dhe pavarësinë e tyre”.
Sokol Sadushi, kryetari i Gjykatës së Lartë e shpërfill Kodin e Etikës së Gjyqtarit dhe e shkel atë. Siç do ta shihni në këtë foto që po bëjmë publike, ai është në një aktivitet politik, siç duket edhe nga shoqëria e lartë politike që pozon me gjyqtarin e Sadushi.

Në të djathtë të tij është deputeti i Partisë Socialiste Vullnet Sina, dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, dhe në të majtë prefekti i qarkut, të tre të partisë në pushtet. Aktivitet dhe shoqëri më politike se kaq nuk mund të bëhet.

Me këtë foto, gjyqtari Sadushi dëshmon atë që Partia Demokratike thotë vazhdimisht. Gjykatat dhe SPAK-u janë aksesor i Edi Ramës dhe qeverisë. Ata vijnë nga e shkuara e përbashkët komuniste dhe ëndërrojnë e punojnë për një të ardhme me vetëm partinë e tyre në pushtet në Shqipëri. Për njerëz të tillë opozita është një bezdi që duhet hequr qafe.

Imagjinoni si i trajton cështjet e drejtësisë që prekin Partinë Demokratike Sokol Sadushi, kur del publikisht, pa iu drishur qerpiku në zijafete me kundërshtaret e PD, deputetë dhe funksionarë të lartë të Partisë Socialiste.
Ne kemi të drejtë kur i identifikojmë për atë që ata janë. Gjyqtarë të kapur nga e shkuara e tyre dhe nga benefitet e Ramës që u sigurojnë një të ardhme të ngrohtë.
Sadushi nuk është rasti i parë. Një tjetër gjyqtare e lartë mori pjesë para disa ditësh në festën e “grupimit Basha” dhe deri më sot nuk ka asnjë reagim nga organet përgjegjëse.
Partia Demokratike e dënon pjesëmarrjen në aktivitete politike të gjyqtarëve dhe kërkon marrjen e masave të menjëhershme nga institucionet përkatëse.

Mosreagimi dëshmon pajtim me shkeljen.
Vetëm ndëshkimi i shkelësve i jep garanci opinionit se çështjet e tyre shkojnë në duar të gjykatave të pavarura, dhe jo të ekzekutorëve partiakë të vendimeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: