Kosova zhgënjeu në kualifikueset e Euro 2024, duke mos siguruar dot një biletë për në Europian.  Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka premtuar se përfaqësuesja do të kualifikohet shumë shpejt në një kompeticion të rëndësishëm.

“Stadiumi “St. Jakob-Park” në Bazel mbrëmë ishte epiqendër e bashkatdhetarëve tanë, të cilët erdhën në përkrahje të Kombëtares së Kosovës jo vetëm nga qytetet anembanë Zvicrës, por edhe nga të gjitha shtetet evropiane, e madje edhe përtej Atlantikut.Dua të falënderoj gjithsecilin prej tyre, të cilët me zemër dhe entuziazëm erdhën të përkrahnin djemtë e Kombëtares sonë.

Ata u bënë pjesë e një ndeshje, e cila pa dyshim do të mbetet në kujtesën e tyre, duke treguar solidaritetin dhe dashurinë e padiskutueshme për vendin e tyre.Me praninë dhe brohoritjet e tyre, ata, krijuan një atmosferë impozante në stadium, që rrallëherë shihet në stadiumet e futbollit dhe njëherësh u shndërruan në forcë energjie për ekipin tonë, i cili përkundër mungesave të shumta dhe me lojtarë të rinj arriti të na bëjë krenar me paraqitjen e tij.Falënderoj çdo shqiptar që ishte në stadium dhe që barti me krenari simbolet tona shtetërore e kombëtare, duke përjetuar bashkë me ne emocionet, shpresat dhe ndjenjat që jep loja e futbollit.

Bashkatdhetarët tanë janë vlerë e madhe e jona. Ata janë aset shtetëror e kombëtar. Prania e tyre, dashuria dhe përkushtimi për atdheun janë pasuria më e çmuar që kemi. E di që nuk mund t’i falënderojmë mjaftueshëm për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, por dua të përçoj mirënjohjen e thellë për krijimin e një atmosfere aq frymëzuese dhe të ngrohtë për lojtarët tanë në Bazel.Një falënderim edhe për tifo-grupin ‘Dardanët’ që në numër të konsiderueshëm kishin udhëtuar në Bazel dhe si zakonisht treguan vlera të larta qytetare e sportive, teksa me pasionin dhe zërin e tyre mbështeten djemtë në fushë në çdo moment të lojës. Gjithashtu, një falënderim i veçantë për mediat kosovare që me profesionalizmin e tyre pasqyruan nga afër këtë spektakël futbolli dhe i dhanë jehonë mbështetjes së madhe që dha Diaspora jonë për Kombëtaren.Ju premtoj se do të vazhdojmë të jemi afër jush dhe të punojmë me gjithë fuqinë tonë për të bërë më të mirën për futbollin dhe për vendin tonë. Njëherësh, shpresoj shumë se këta djelmosha që e dhanë më shumë se 100 përqindshin e tyre në ndeshjen e mbrëmshme kundër Zvicrës shumë shpejt do të realizojnë ëndrrën tonë të përbashkët – pjesëmarrjen në eventet e mëdha të futbollit evropian e botëror” – Shkruan ai.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: